Deputeti i LDK-së kritikon prioritetet e AAK-së për qeverinë e re

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka kritikuar partnerin e mundshëm të partisë së tij në qeverinë e re, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ende pa u krijuar kjo qeveri.

Me anë të publikimit të letrës së liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, drejtuar liderit të LDK, Isa Mustafës, Avdyli ka thënë se ata nuk kanë përmendur asgjë për pandeminë, krizën ekonomike dhe punësimet.

Po ashtu Avdyli në Twitter ka shkruar se këto do të jenë “prioritetet e asfaltit në kohë të pandemisë”

“Prioritetet e AAK-se për qeverisjen me LDK-ne: asnjë fjalë për taksën 100%, e reciprocitetin, 3 autostrada, mundësisht kah livadhet e veta, ripersëritja e premtimit për korrigjim te demarkacionit qe e votuan vetë. Asnjë fjalë për programin e përbashkët qeveritar e cila si duket s’është diskutuar fare. Asnjë fjalë per luftimin e pandemisë e shëndetësinë. Asnjë fjalë për krizën ekonomike ,as për punësim, e zhvillim ekonomik. E ne fund do sllogane bajate”, ka shkruar Avdyli.

Avdyli ishte njëri ndër deputetët i cili votoi kundër mocionit për rrëzimin e  Qeverisë të ngritur nga vet LDK.

Sot në një takim, pas deklarimeve të partive parlamentare në takimin konsultativ me presidentin Hashim Thaçi, ky i fundit mbajti një fjalim, ku deklaroi se mandatin për formimin e Qeverisë do të ia jap atij koalicioni që e krijon shumicën për krijimin e Qeverisë.

“Si rrjedhojë e vullnetit të juaj të shprehur që vendi të ketë qeveri të reja të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, duke respektuar në tërësi kushtetutën, ligjet e Kosovës. Unë do t’i jap asaj partie apo koalicioni që dëshmon së ka shumicën në kuvend. Nuk është diskrecionin tim të propozojë për kandidatin e tillë, u shpreh Thaçi në përfundim të takimit konsultativ me partitë politike.

Thaçi ka dëgjuar të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare duke i pyetur se a janë për krijimin e një qeverie të re.