Dizajni i 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës. Foto: Kryeministri Albin Kurti në Facebook.

Deputeti Haki Abazi thotë që logoja e Ditës së Çlirimit është kopje, flasin kritikët e artit

Deputeti i pavarur, Haki Abazi, po pretendon se logoja e 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, e publikuar sot, më 30.05.2024, nga kryeministri Albin Kurti është kopjuar nga muri dhe motivet e restorantit “Bukë e Zemër”.

“Kreativitet i limituar”- ka shkruar Abazi në “Facebook”, duke shtuar pyetjen se “a thua kush është kopjuesi dhe pse pikërisht kjo…”

Me një deklaratë të tillë të Abazit nuk pajtohet piktorja Zake Prelvukaj, pasi që sipas saj motivet e paraqitura në këtë logo janë tipare të etnosit shqiptar që gjenden kudo nëpër vepra arti të kësaj natyre.

“Ajo është vetëm etnos, se nuk është e ngjashme. Veprat që përmbajnë etnos shpesh duken por nuk janë kopje, se etnosi është në folklorin tonë, se i ka edhe Ballkani në folklor’’- tha Prelvukaj për Kallxo.com.

Logoja e 25 vjetorit të Çlirimit (fotoja lartë) dhe logoja e restaurantit “Bukë e Zemër” (fotoja poshtë).

Zyra e Kryeministrit tha për Kallxo.com që logoja është punuar nga Taulant Çerkini. I njëjti disenjator e ka punuar edhe logon e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Kritiku i artit, profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, Rrezeart Galica, tha që në kompozicion nuk qëndron ajo tipografi që ka përzgjedhur autori. 

“Elementet e tjera grafike si dhe ato kompozicionale përcjellëse na kujtojnë dizajnin e aktivitetit të përbashkët qeveritar Shqipëri-Kosovë të mbajtur më parë në Shqipëri. Përveç kësaj, ne e gjejmë edhe te subjekte të tjera që kanë përdorur këto forma” – tha ai për KALLXO.com.

Galica tha që ky lloj i kontrabandimit të logos me shpërfaqje para publikut si logo zyrtare përmban edhe defektet e veta që rrjedhin nga efektet e mosbërjes publike të konkursit për realizimin e kësaj logoje.

“Ministria e Kulturës këto gjëra nuk bëhen heshturazi, se nuk janë personale, e as nuk përzgjedhen fshehurazi siç në këtë rast është kontrabanduar kjo logo e 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës” -shtoi ai.

Galica shtoi se 25-vjetori i Çlirimit të Kosovës sipas logos reflekton “qilimin e jo Çlirimin e Kosovës”.

“Motivi është i stërpërdorur dhe nuk ka sjellë ndonjë risi në këtë përvjetor”- tha ai, duke cituar një thënie: “Mbani mend fjalën integritet: nëse kopjoni idenë e dikujt, jepini meritat aty ku duhet”.

13 ditë para se të shënohet ky përvjetor, kryeministri Kurti e publikoi pamjen e dizajnit që do ta karakterizojë këtë ditë të shënuar.

Kurti ka përshkruar se ky dizajn është frymëzuar nga “historia dhe kultura, motivet e ngjyrat që i gjejmë të qëndisura në veshjet tradicionale e të thurura në artizanatet kombëtare, por të rifreskuara me dizajn modern”.

“Aty shohim profilin e pëllumbit të bardhë që simbolizon paqen e lirinë, si dhe simbolin e shqiponjës dykrenare e vigjilente, që është e ngulitur thellë në historinë e identitetin tonë kombëtar”- ka shkruar Kurti në Facebook.

Më 12 qershor shënohet përvjetori i hyrjes së forcave e NATO-s në Kosovë, ndërsa bombardimet kundër Serbisë kishin nisur më 24 mars 1999.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, të cilët ishin dëbuar me forcë për në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në vende të ndryshme të botës.