Dënuan qytetarin me ligj të Serbisë, suspendohen dy policë të Kosovës në Novobërdë

Dy zyrtarë policor të Stacionit Policor në Novobërdë, janë suspenduar nga detyra gjatë ditës së sotme.

Kjo për shkak se të njëjtit kishin dënuar një person për shkak se i njëjti nuk kishte respektuar ligjin kundër COVID-19, për mbajtje të maskës.

Burimet e KALLXO.com brenda Policisë në Gjilan kanë treguar se zyrtarët policor të nacionalitetit serb në fletëparaqitjen ndaj qytetarit gjatë ditës së sotme, kishin shënuar se i njëjti nuk kishte respektuar Ligjin e Serbisë për masat anti-COVID-19, pra për vendosjen e maskës për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtoreshën e Policisë së rajonit të Gjilanit, Elmina Mahmuti.

E njëjta shkurt ka thënë se dy policët janë suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, ndërsa nuk dha ndonjë detaj në lidhje me rastin.