Foto: Norel Zaimi, KALLXO.com

Dëmet nga tërmeti në Shqipëri prekin vlerën e rreth 1 miliard eurove

Tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, shkaktoi dhjetëra viktima, qindra të lënduar e shumë dëme materiale.

Shifrat zyrtare të këtyre dëmeve që shkaktoi tërmeti është 985 milionë euro. Këto të dhëna u bënë të ditura nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi, të cilat ishin përfshirë në një raport që kishte përfunduar më 30 janar të këtij viti.

“Raporti është hartuar sipas standardeve të BE, BB dhe Agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe më të njëjtën metodologji që është përdorur në vendet e tjera në botë. Ekspertët kanë vlerësuar dëme dhe humbje në shumën prej 985 milionë e 74 mijë euro”, tha Çuçi.

KALLXO.com kishte raportuar në vazhdimësi për tërmetin që kishte ndodhur në Shqipëri vitin e kaluar. 52 viktima e 900 persona të tjerë ishin lënduar.

Në anën tjetër KALLXO.com ka mësuar se të gjithë të prekurit nga tërmeti në Shqipëri që janë strehuar në Kosovë, janë kthyer prapë në Shqipëri.

Kështu ka bërë të ditur edhe ish- Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi për KALLXO.com.

“Sipas regjistrave zyrtar dhe informacioneve që kemi pasur gjatë kohës sa ka qenë qeveria e kaluar, asnjë person apo familje që kanë qenë të prekur nga tërmeti  nuk ka mbetur në Kosovë, ata janë kthyer sërish në Shqipëri më duket se pak para krishtlindjeve. Kështu na janë dhënë informacionet edhe nga ana e Policisë së Kosovës. Pra të jemi të qartë se ata persona apo familje që kanë qenë në Kosovë për t’u strehuar pas tërmetit në Shqipëri janë kthyer të gjithë, e këtu nuk hyjnë individë të caktuar të cilët vijnë në baza ditore në Kosovë pasi që kanë familjarë apo diçka tjetër”, tha Gashi për KALLXO.com.

KALLXO.com kishte raportuar se gjatë kohës kur Kosova kishte hapur dyert për të strehuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri janë pranuar mijëra qytetarë shqiptar.

Baza e ish- KFOR-it gjerman në Prizren ka qenë e mbushur me familje të prekura nga tërmeti.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha për KALLXO.com se ata që kanë qenë të strehuar në kampin gjerman por edhe në njërin nga gjimnazet e Prizrenit, janë kthyer në Shqipëri.

“Ata që kanë qenë të regjistruar në kamp dhe gjimnaz janë kthyer pasi për ta është rregulluar çështja e banimit në Shqipëri. Nuk kemi asnjë në Prizren”, tha Haskuka.

Pamje nga Lezha pas tërmetit në Shqipëri

Kthehen në Shqipëri të prekurit nga tërmeti: Faleminderit shumë Kosovë