Klinika Infektive QKUK - FOTO KALLXO - Mars 2020

Coronavirusi, tre raste kanë rezultuar negative, katër të tjera në pritje

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se tre rastet e raportuara si të dyshimta në QKUK me coronavirus, kanë rezultuar negative dhe që për tre raste tjera janë në pritje.

“Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influenza A dhe B. Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR të tre pacientëve”, thuhet në njoftimin e tyre.

IKSHPK njofton se testet kanë rezultuar negative për SARS-CoV-2, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2, ndërsa dy prej tyre është Influencë B pozitiv.

“Sot pasdite kanë ardhur edhe katër mostra, një nga klinika pediatrike dhe tri nga Klinika Infektive të cilat në Laboratoret e IKSHPK kanë hy menjëherë në punë dhe do të ju informojmë me kohë posa të përfundojë puna në laborator”, përfundon njoftimi.