Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Cilat janë sëmundjet kryesore të zemrës në Kosovë?

Me probleme të zemrës ballafaqohen shumë njerëz në gjithë botën, prandaj edhe në Kosovë.

Sipas drejtorit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Rifat Brahimaj, në Kosovë dominojnë dy lloje të sëmundjes së zemrës: sëmundja koronare dhe prekja e valvulave të zemrës.

“Kryesisht dominojnë dy lloje të sëmundjeve në grupin e parë bëjnë pjesë sëmundjet koronare ose sëmundjet e vetarterieve të cilët ushqejnë muskujt e zemrës me gjak dhe ne i quajmë iskemike dhe grupi i dytë më i madh janë valvulopatitë ose prekjet e valvulave të zemrës nga sëmundjet e ndryshëm”, sqaron Brahimaj në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai thotë se të dyja këto sëmundje kërkojnë trajtim në kardiokirurgji, përderisa thekson se kohëve të fundit është shtuar numri i pacientëve të cilët kanë probleme me zemër.

“Muajt e fundit kemi pasur edhe rritje të sëmundjeve të zemrës përkatësisht sëmundjet koronare ku bëjnë pjesë infarktet për këtë mund të këtë ndikuar stili i jetës, mund të ketë ndikuar stresi apo infeksionet me COVID”, tregon tutje drejtori i Klinikës.

Çka i shkakton sëmundjet e zemrës?

Shëndeti i njeriut varet shumë nga mënyra e të ushqyerit dhe aktivitetet ditore me të cilët merremi.

Drejtori i Kardiokirurgjisë sqaron se një nga shkaktarët më të mëdhenj të sëmundjeve të zemrës është duhan pirja dhe ushqimet me përmbajtje yndyrore të cilat dëmtojnë enët e gjakut në organizmin e njeriut.

“Kryesisht ushqimet të cilat kanë origjinë shtazore  dhe përmbajnë yndyra janë një nga shkaktarët që e dëmtojnë enët e gjakut gjithandej në organizëm. Numër një duhanpirja, numri dy është  yndyra në gjak, hipertensionet”, thekson ai.

Mirëpo, ai thekson se përveç faktorëve të lartpërmendura sëmundje të zemrës po ashtu shkaktohen edhe nga stresi i lartë në punë, nervoza e ankthi.

“Personat të cilët janë në nivel të lartë të stresit në vendin e tij të punës arteriet e tyre në sipërfaqe të zemrës janë të prirura për t’u ngushtuar”, sqaron ai.

Kardiokirurgu rekomandon të konsumohen ushqime me origjinë bimore, të mos pihet duhan dhe të merren sa më shumë me aktivitete fizike.