FOTO: Broshura, TC Kosova e Re, MZHE 2017

Banka Botërore nuk e përkrah termocentralin 'Kosova e Re'

Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim ka thënë që Banka Botërore nuk do ta mbështesë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë.

Po, ne kemi një qëndrim të fortë që të mos shkojmë përpara me termocentrale me qymyr sepse na është kërkuar nga biologët tanë që të shkojmë me opsionin me koston më të ulët dhe energjia e ripërtëritshme tani vjen poshtë kostos së qymyrit. Pra, pa asnjë dilemë, nuk do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Kim.

Kim shpalosi qëndrimin e Bankës Botërore rreth termocentralit 1.3 miliardë euro kur u pyet prej Visar Azemit, drejtorit ekzekutiv i “Balkan Green Foundation” në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po zhvillohen në Bali të Indonezisë.

“Siç e dini, Ballkani është duke u varur nga energjia fosile. Shtetet garojnë me njëra tjetrën se kush do ta dominojë sektorin e energjisë në rajon duke ndërtuar më shumë termocentrale. Në njërin nga projektet është angazhuar personalisht Banka Botërore në Kosovë, por sot dëgjuam nga drejtori juaj për klimën që ky projekt nuk është më në tavolinë për Bankën Botërore dhe ne do të donim të merrnim një konfirmim nga ju”, ishte pyetje e Azemit kundrejt Kim.

Në këto takime po marrin pjesë edhe përfaqësues nga Kosova. Përveç Visar Azemit i pranishëm në Bali është edhe Burim Ejupi nga Instituti për Politikat e Zhvillimit (INDEP).

Këto takime bashkojnë bankierët qendrorë, ministrat e Financave dhe të Zhvillimit, drejtuesit e sektorit privat, shoqërinë civile, mediat dhe akademikët për të diskutuar çështje të shqetësimit global, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, stabilitetin financiar global, çrrënjosjen e varfërisë, hapjen e vendeve e punës dhe rritjen ekonomike, efektivitetin e ndihmës dhe ndryshimin e klimës.

Gjatë një takimi me përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile, drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde dhe presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim, diskutuan një gamë të gjerë temash zhvillimi me shoqërinë civile.

Nënshkrimi i marrëveshjes 1.3 miliardë euro mes Qeverisë së Kosovës dhe Joseph Brandt, drejtorit ekzekutiv të kompanisë amerikane ‘Countur Global’ për ndërtimin e TC “Kosova e Re” është bërë me 20 dhjetor 2017.

Në qershor të këtij viti, kompania amerikane ‘Contour Global’ ka hapur tender për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë të quajtur ‘Kosova e Re’.

Katër konsorciume tashmë kanë hyrë në garë për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ofertuesit e para-kualifikuar për Inxhinierim, Projektim, Ndërtim dhe Mirëmbajtje për Projektin e Termocentralit “Kosova e Re” janë: 1. CMEC; 2. Një konsorcium i përbërë nga ENKA, Mitsubishi Hitachi Power Systems dhe Técnicas Reunidas; 3. Një konsorcium i kompanive të General Electric; dhe 4. Hyundai.

Pas shpalljes së procesit të ‘Përzgjedhjes Fillestare’ në qershor, gjashtë aplikime u pranuan dhe u vlerësuan nga Contour Global. Rezultatet dhe vendimin e ‘Contour Global’ e ka njohur Qeveria e Kosovës.

Gjatë fazës së parakualifikimin kanë aplikuar gjashtë kompani, mirëpo pas procesit të vlerësimit është arritur në përfundimin se katër prej këtyre janë parakualifikuar, të cilët i kanë plotësuar kriteret e larta teknike dhe financiare, si dhe i kanë ofruar letrat e financimit nga institucionet financiare.

Është parashikuar që në vitin 2019 do të vihet gurthemeli i termocentralit “Kosova e Re”.

Më poshtë mund të gjeni profilet e katër konzorciumeve që janë në garë për të fituar tenderin për ndërtimin e TC “Kosova e Re”.

https://kallxo.com/profilet-e-kater-konsorciumeve-ne-gare-per-ndertimin-e-tc-kosova-e-re/

Organizata Ndërkombëtare e Komunitetit të Energjisë kishte lëshuar opinionin preliminar mbi kontratën e Qeverisë së Kosovës me ‘Contour Global’ për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë.

Ky opinonin erdhi me kërkesën e pjesëmarrësve në konferencën “Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës” të mbajtur në Prishtinë në fillim të qershorit 2018.

https://kallxo.com/rreziqet-e-projektit-kosova-e-re-sipas-sekretariatit-te-energjise/

Nga Ngjizja e Deri te Nënshkrimi i Marrëveshjes për Termocentralin