Çfarë ushtrime fizike duhet të bëjmë këto ditë të izolimit?

Fizioterapeuti Gazmend Rexha ka thënë se gjatë kohës kur jemi të izoluar për shkak të pandemisë së COVID-19, ne duhet të jemi aktivë përmes disa ushtrimeve në kushte të shtëpisë.

Në një intervistë për KALLXO.com, ai tha se të gjithë ata që punojnë nga shtëpia duhet të gjejnë forma të cilat do t’i ndihmonin trupit të jetë aktiv.

“Në këtë kohë të pandemisë, ku jemi të detyruar të rrimë brenda, tash e një muaj, është e nevojshme që të qëndrojmë fizikisht aktiv duke nënshtruar ushtrimeve të rregullta ditore. Duhet kemi një kujdes të shtuar sesi të kalojmë kohën brenda shtëpisë, sidomos kur rrim shumë para televizorit, në telefon si dhe gjatë orarit të punës në shtëpi, pasi shumë qytetar po punojnë nga shtëpia këto ditë”, tha ai.

Ai tha se në raste shtëpiake, ka forma të ndryshme për tu përshtatur me punën por nëse nuk i përmbahemi disa rregullave, mund të kemi dhimbje trupi.

“Ata që punojnë nga shtëpia është e rëndësishme që të mbajnë disa rregulla, pra ta mbajnë laptopin drejt me trupin, gjithashtu të jetë në nivel të syve, të përdoret tastaturë shtesë, karrigia të përshtatet, sikur ato të kuzhinës me ndonjë jastëk”, deklaroi Rexha.

“Nëse nuk u përmbahemi këtyre rregullave, mund të vijë deri te përballja me dhimbje muskulore, pra ne duhet të kujdesemi që të mbajmë trupin drejtë
, ka thënë fizioterapaeuti Rexha.

Për këtë, ai ka propozuar disa ushtrime për qafë dhe shpinë.

“Ata që punojnë gjatë ulur, është mirë të bëjnë ushtrime të qafës, ku duhet të lëvizin qafën mbrapa, dhe para. Ndërsa, ushtrimi i dytë është përkulet koka anash, nga tri përsëritje nga 15 sekonda. Gjithashtu, një ushtrim është që të lëvizim shpatullat nga 10 lëvizje, para dhe prapa. Këto ushtrime lirojnë muskujt nga tensionimi”, deklaroi ai.

“Një ushtrim për krah është i mundur përmes një fashe apo një gjëje elastike, dhe këto ushtrime mund të bëhen edhe ulur në karrige”, tha Rexha.

Ai ka folur edhe për rëndësinë e ecjes në kohë izolimi por edhe për rrezikun e të moshuarve në këtë kohë kur kemi pak kohë për aktivitete fizike.

Dëgjojeni të plotë intervistën e fizioterapeutit Gazmend Rexha:

Çfarë ushtrime fizioterapeutike duhet të bëjmë në karantinë?

Çfarë ushtrime fizioterapeutike duhet të bëjmë në karantinë?#COVID19Gazmend Rexha- Fizioterapeut

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 21 avril 2020