Ilustrim

Çfarë po mësojmë në lidhje me COVID-19 dhe fëmijët?

Ndërkohë që shkollat në të gjithë botën po i bëjnë përgatitjet e tyre për t’u rihapur, dëshmi të reja shkencore po dalin në pah në lidhje me fëmijët dhe koronavirusin.

Në prill, epidemiologu francez Arnaud Fontanet e gjeti vetën e tij duke i prirë një hetimi në qytetin Crépy-en-Valois, një komunitet i vogël me 15,000 banorë në veri-lindje të Parisit. Në shkurt, shkollat mesme të qytetit ishin bërë qendra e një shpërthimi të ri të Covid-19, shkruan The Guardian.

Fontanet dhe kolegët e Institutit Pasteur në Paris kishin për detyrë të bënin testimin e antitrupave në të gjithë Crépy-en-Valois për të kuptuar shkallën në të cilën qarkullonte virusi. Ndërkohë që po vëzhgonin qytetin, ata vunë re një model interesant. Përderisa virusi ishte përhapur në mënyrë të pakontrolluar në shkollën e mesme, me 38% të studentëve të infektuar, së bashku me 43% të mësuesve dhe 59% të stafit mësimdhënës, e njëjta nuk kishte ndodhur për gjashtë shkollat fillore të qytetit. Përderisa tre nxënës të moshës fillore ishin infektuar me Covid-19 në fillim të shkurtit, asnjë prej këtyre infeksioneve nuk kishte rezultuar në një rast dytësor. Në përgjithësi, vetëm 9% e nxënësve të moshës fillore, 7% e mësuesve dhe 4% e stafit mësimdhënës ishin infektuar me virus.

“Këto rezultate na treguan se adoleshentët janë po aq infektues sikurse të rriturit,” tha Fontanet. “Por në grupmoshat e reja, është një histori ndryshe. Ata nuk duket se e transmetojnë atë në të njëjtën masë. ”

Gjetje të ngjashme janë shfaqur diku tjetër. Një studim i ri epidemiologjik i 65,000 personave në Korenë e Jugut, i cili gjurmoi kontaktet e personave të infektuar në periudhën kohore ndërmjet fundit të janarit dhe fundit të marsit, ka zbuluar se ndërkohë që fëmijët e moshës 10-19 vjeç mund ta përhapin virusin ashtu si dhe të rriturit, ata më të rinj se 10 vjeç e transmetojnë atë tek të tjerët shumë më rrallë.

“Ka të ngjarë se, në përgjithësi, fëmijët kanë një efikasitet të transmetimit prej rreth 50% të të rriturve, megjithëse kjo ndryshon në mënyrë dramatike përgjatë grupmoshave,” thotë Susan Coffin, mjeke e sëmundjeve infektive në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia. “Ndërsa fëmijët hyjnë në fazën e adoleshencës, efikasiteti i transmetimit fillon të afrohet me atë të të rriturve.”

Arsyet e mundshme për këtë janë me bollëk. Disa kanë sugjeruar që fëmijët e vegjël kanë një ngarkesë më të ulët virale sesa adoleshentët dhe të rriturit – megjithëse provat për këtë mbeten akoma disi si të paqarta – ose që ata marrin më pak frymë, kështu që zvogëlojnë shanset e tyre për ta transmetuar virusin.

Ndoshta, për ta bërë më thjeshtë, mund të jetë se shumica e fëmijëve të vegjël kanë tendencë të jenë ose asimptomatikë ose të kenë simptoma shumë të buta kur infektohen me Covid-19. Në një nga studimet më të mëdha të pacientëve pediatrik Covid-19, bazuar në të dhënat mjekësore të 2,143 fëmijëve në të gjithë Kinën, 94% u klasifikuan si raste asimptomatike, të buta ose të moderuara.

“Kjo nënkupton se ata mund të kenë më pak të ngjarë të kolliten, dhe kështu lëshojnë sasi më të vogla të virusit në ambient,” shpjegon Zoë Hyde, epidemiologe në Universitetin e Australisë Perëndimore.

E gjitha kjo na sugjeron se kur bëhet fjalë për procesin delikat të përpunimit të mënyrave më të mira për t’i rihapur shkollat në mënyrë masive duke i dalë në mbrojtje komunitetit lokal, nevoja më e madhe për masa të rrepta paraprake siç janë testimi, distanca sociale dhe maska do të zhvendosen në nivelin sekondar.

Si të mbahen shkollat të sigurta?

Ndërmjet prillit dhe fillimit të qershorit, rreth 20 shtete – nga Mbretëria e Bashkuar në Afrikën e Jugut – filluan paraprakisht tentativat për rihapjen e shkollave. Ndërkohë që ky eksperiment pati disa dështime –  në Kinë, Korenë e Jugut dhe Izrael, të gjitha këto vende u desh ti mbyllnin përsëri disa shkolla pas shpërthimeve të reja – dhe gjithashtu dha një sërë modelesh interesante për të mësuar më shumë lidhur me hapjen e shkollave në shkallë më të gjerë këtë vjeshtë.

Kombet e ndryshme kanë aplikuar strategji të ndryshme në shkollat e tyre si një mjet për mbajtjen e virusit sa më larg, nga leximet e detyrueshme të temperaturës ditore në Vietnam, deri tek testimet e rastësishme të strishove në Uruguaj. Emiliana Vegas, bashkëdrejtore në Qendrën Brookings për Edukim Universal në Uashington, ka qenë duke i monitoruar këto qasje të ndryshme. Në përgjithësi, ajo thotë se një kombinim i mbajtjes së klasave në madhësi të vogla dhe duke u kërkuar fëmijëve të rritur të mbajnë maska dhe distancë sociale duket se është mënyra më efektive për t’i mbajtur të sigurta shkollat dhe komunitetet.

Strategjia e mëparshme është përdorur në mënyrë efektive gjatë muajve të fundit në Finlandë dhe Danimarkë. Klasat e mëdha janë shpërndarë në kapsula më të vogla nga 15-20 studentë, të cilët mësojnë veçmas dhe lejohen të mblidhen në shesh lojërash, ku ajri i hapur zvogëlon mundësinë e transmetimit të virusit. “Të kesh kapsulat do të thotë që nëse një person infektohet, nuk është e nevojshme të karantinohet e tërë shkolla,” thotë Vegas. “Ai gjithashtu e bën gjurmimin e kontakteve shumë më të lehtë atëherë kur shfaqen rastet.”

Megjithatë shkencëtarët tregojnë se masat më të përshtatshme ndryshojnë nga një vend në tjetrin, varësisht nga sasia e virusit që qarkullon nëpër komunitete. Kur tufa të rasteve të reja shfaqen akoma rregullisht, masa më të rrepta për distancim social mund të jenë të nevojshme, si dhe mbajtja e detyrueshme e maskave.

“Vendimi për mbajtjen e maskave në shkolla duhet të varet nga madhësia e epidemisë,” thotë Otto Helve, specialist i sëmundjeve infektive pediatrike në Institutin finlandez për shëndetin dhe mirëqenien. “Në Izrael, për shembull, kur maskat janë të detyrueshme për të gjithë studentët, ka një epidemi më të keqe në mesin e shoqërisë, mirëpo hapësirat në shkolla janë gjithashtu më të mëdha ndërsa klasat në përgjithësi më të vogla. Gjithashtu, fëmijët kalojnë shumë më tepër kohë së bashku në hapësira të mbyllura, siç janë autobusët shkollorë, krahasuar me Finlandën, ku fëmijët kanë tendencë të ecin deri tek objekti i shkollës. ”

Sidoqoftë, ekzistojnë shqetësime në lidhje me zbatimin e politikave të rrepta të distancimit social dhe mbajtjes së maskave për grupmoshat më të reja, veçanërisht marrë parasysh dëshmitë gjithnjë e më solide se ata kanë shumë më pak të ngjarë ta përhapin virusin. Vegas vë në dukje se për fëmijët e moshës fillore, të qenit në gjendje të luajë me moshatarët është me rëndësi për zhvillimin e tyre. Dhe ka shqetësime që mbajtja e maskave mund të rezultojë me probleme të sjelljes, veçanërisht në botën perëndimore, ku fëmijët nuk janë mësuar të mbulojnë fytyrën e tyre gjatë shpërthimeve të gripeve sezonale. “Fëmijët e vegjël kërkojnë shumë sugjerime se si të sillen nga shprehjet e fytyrës së të rriturve (mimika)  dhe të tjerëve në klasën e tyre,” thotë Vegas.

Muajin e kaluar, disa politikëbërës kanë prezantuar përjashtime për persona nën një moshë të caktuar. Në Uruguaj, maskat janë të detyrueshme për nxënësit e shkollave të mesme, por janë opsionale për fëmijët më të vegjël; në Francë, qendrat ditore kanë braktisur të gjitha rregullat distancuese për fëmijët nën pesë vjeç.

Pse fëmijët janë më pak të prekur nga virusi krahasuar me të rriturit?

Marrë parasysh masat paraprake që bëhen rreth rihapjes së shkollave, është e lehtë të harrohet se fëmijët janë më pak të prekur nga Covid-19 sesa të rriturit, me një llogaritje prej rreth 2% të rasteve të konfirmuara.

Kjo është e çuditshme duke pasur parasysh që, për shumicën e viruseve që ndërlidhen me frymëmarrjen, fëmijët e vegjël infektohen në mënyrë tipike shumë më lehtë sesa të rriturit për shkak të mungesës së imunitetit para-ekzistues. Por ky model u pa gjithashtu gjatë shpërthimit origjinal të Sars në vitin 2003, kur fëmijët ishin kryesisht të pa prekur. Më pak se 10% e atyre të diagnostikuar me Sars ishin fëmijë, dhe vetëm 5% e fëmijëve të infektuar i ishin nënshtruar kujdesit intensiv.

Një shpjegim i mundshëm biologjik është se receptori ACE2 – vrima kryesore e cila përdoret nga të dy viruset Sars-CoV dhe Sars-CoV-2 për ti pushtuar qelizat e mushkërive – ka një rregullator në zhvillim. “Kjo do të thotë që kur jeni shumë i ri, ju keni përqendrime shumë të ulëta të kësaj proteine, duke ia vështirësuar punën virusit që lidhet me sipërfaqen e frymëmarrjes,” thotë Coffin. “Dhe pastaj, ndërkohë që plakeni sa më shumë, përqendrimi i kësaj proteine rritet.”

Një teori tjetër është se në rastin e Sars dhe Covid-19, fëmijët, ironikisht, janë mbrojtur nga fakti se ata kanë sistem imunitar më pak të zhvilluar. Shumë nga vdekjet tek të rriturit kanë ndodhur për shkak të një reagimi imunitar tepër të fortë të njohur si një stuhi citokine (cytokine storm). Disa mendojnë se ekspozimi në të kaluarën ndaj koronaviruseve të tjerë dekada më parë mund të bëjë që sistemi imunitar i rritur të prodhojë antitrupa për ta targetuar një kërcënim të mëparshëm, sesa virusin e ri, duke nxitur një reagim jonormal. Ky është një fenomen i njohur si një mëkat origjinal antigjenik dhe ka qenë prezent edhe në sëmundje të tjera infektive, të tilla si ethet tropikale.

Megjithatë akoma ekziston një numër shumë i vogël i fëmijëve të cilët sëmuren rëndë si rezultat i Covid-19. Që nga muaji prill, ka pasur raportime për fëmijët në mbarë botën për një gjendje të njohur si një sindrom multi-sistemësh inflamator  (i njohur si MIS-C). Kjo ndikon në zemër dhe organet e tjera kryesore në trup, përfshirë stomakun, mëlçinë dhe zorrët, dhe në disa raste, kjo sëmundje ka rezultuar me fatalitet.

Petter Brodin, specialist i pediatrisë në Spitalin Universitar Karolinska në Suedi, ka bërë studimin e një seri fëmijësh me MIS-C gjatë disa muajve të fundit në përpjekje për të kuptuar pse zhvillohet një sindrom i tillë.

Për shkak se simptomat e MIS-C zakonisht fillojnë katër deri në gjashtë javë pas infeksionit fillestar, shumë kohë pasi virusi Sars-CoV-2 është larguar nga trupi i fëmijës, ai beson se reagimi imun gradualisht pëson një keqfunksionim. Antitrupat e prodhuar fillimisht për t’i targetuar proteinat e virusit në vend të kësaj reagojnë me proteina në sipërfaqet e sistemeve të ndryshme të organeve, duke bërë që trupi të sulmojë veten.

Shkencëtarët ende nuk e kuptojnë pse kjo ndodh vetëm tek disa fëmijë, mirëpo Brodin beson se pjesë e enigmës është fakti se Covid-19 është një sëmundje plotësisht e re, e tillë që sistemi imunitar në zhvillim nuk është gjithmonë i përgatitur për t’u përballur, duke shkaktuar këtë reagim ekstrem në një pjesë të vogël të rasteve.

“Ky virus është shumë i përhapur për momentin dhe nuk është një virus i ri që shfaqet çdo ditë dhe fillon të përhapet në popullatë,” thotë ai. “Ndoshta, nëse një lloj i ri i virusit të gripit që ishte krejtësisht i ndryshëm nga çdo gjë tjetër, do të shfaqej dhe do të fillonte të përhapet, prapë do ta shihnim të njëjtën gjë.”

Situata në Britaninë e Madhe

Departamenti për Arsim i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar ka lëshuar një seri udhëzimesh për shkollat përpara rihapjes së planifikuar të muajit të ardhshëm në shkallë të gjërë. Shkollat e Skocisë rihapen nesër dhe kanë udhëzimet e tyre përgjithësisht të ngjashme. Ndërsa të dy vënë në pah rëndësinë e krijimit të “flluskave (kapsulave)” brenda klasave dhe inkurajimit të distancimit social në klasë midis studentëve më të vjetër, shumëçka i mbetet gjykimit të shkollave individuale.

Kamlesh Khunti, profesor i mjekësisë vaskulare në Universitetin e Leicester dhe anëtar i panelit Independent Sage, ka sugjeruar që shkollat në Mbretërinë e Bashkuar duhet të ndjekin shembullin e disa prej vendeve nordike. “Në Danimarkë, madhësia mesatare e klasës ishte rreth 20 studentë para Covid-19, por tani ata po i ndajnë klasat në dy deri në tre grupe më të vogla,” tha ai. “Ata u kanë rekomanduar nxënësve të ulen 1.8 metra larg njëri-tjetrit dhe t’i pastrojnë duart çdo dy orë.”

Për momentin, Shëndetësia Publike në Angli nuk rekomandon përdorimin e mbulimit të fytyrës në shkolla edhe në nivelin e mesëm, pavarësisht nga dëshmitë që sugjerojnë se fëmijët më të vjetër kanë më shumë rrezik ta transmetojnë Covid-19. Në të kundërtën, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA kohëve të fundit kanë publikuar rekomandime që të gjithë fëmijët duhet të mbajnë mbulesa fytyre në shkolla, përveç atyre nën dy vjeç.

“Ka shumë pak prova mbi përdorimin e maskave në shkolla, por, në përgjithësi, fëmijët duhet të inkurajohen të mbulojnë fytyrën e tyre ndërkohë që numri i rasteve pozitive në nivel popullate është i lartë,” thotë Khunti. “Në shtete si Kina, Koreja e Jugut, Japonia, të bartësh maska në shkolla pranohet në shkallë të gjerë dhe madje barten edhe gjatë sezonit të gripit.”

Përgatiti: Nuhi Shala