FOTO: Hashim Thaçi/Twitter

Brenda pak muajve, Thaçi 'priti e përcolli' tre kryeministra

Shefi i shtetit brenda një periudhe të shkurtër kohore ka “pritur e përcjellë” tre kryeministra të Kosovës.

Hashim Thaçi ishte nikoqir i Ramush Haradinajt, Albin Kurtit e Avdullah Hotit. E një temë e cila mbizotëroi takimet ishte ajo për dialogun Kosovë-Serbi.

I pari i shtetit sot priti për herë të parë, në cilësinë e shefit të ekzekutivit, Avdullah Hotin.

Në këtë takim, siç u tha, u diskutua edhe për kompetencat e dy liderëve në dialogun Kosovë- Serbi.

“Kreu i shtetit dhe kreu i ekzekutivit janë pajtuar që bashkërendimi dhe koordinimi ndërinstitucional është i domosdoshëm që Kosova t’i kalojë me sukses sfidat me të cilat po ballafaqohet”, thuhej në njoftimin e presidencës së Kosovës.

 

Presidenti i vendit në zyre, jo shumë kohë më parë priti edhe Albin Kurti, sa ai ishte në krye të Qeverisë së Kosovës.

Derisa takimi i parë ndërmjet Thaçit e Kurtit nuk zgjati më shumë se pesë minuta, një takim tjetër ndërmjet dy liderëve kishte zgjatur më shumë se dy orë.

Edhe në këtë takim, temë diskutimi kishte qenë procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Siç kishte shpjeguar më vonë, Kurti, ata nuk ishin pajtuar ndërmjet vete për disa gjëra.

Ai në seancën e 25 marsit, ku pritej të rrëzohej nga ulësja e kryeministrit, tha se kishte pas ftesë nga Hashim Thaçi për të shkruar në Uashington për nënshkrimin e marrëveshjes.

 

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Kosovës Abin Kurti në takimin e datës 13 mars 2020 – Foto: Hashim Thaçi/ Facebook

 

“Unë jam më i bindur se kurrë se marrëveshje të gatshme ka, praktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti në takimin që kishim se edhe me kërkesën e deputetëve të PDK-së e takova presidentin dhe nuk u morëm vesh, sepse ai 3 herë ma përsëriti hiqe taksën shkojmë bashke më Uashington e bëjmë marrëveshjen dhe e nënshkruam marrëveshjen e heqim Serbinë qafe”, kishte thënë Albin Kurti.

Takime, i pari vendit zhvilloi edhe me ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj. Në fillim, kur Haradinaj erdhi në pushtet pranoi që Kosova të përfaqësohej nga presidenti në dialogun Kosovë-Serbi. Por, kur ky i fundit përmendi një marrëveshje me korrigjim kufijsh, Haradinaj e kundërshtoi fortë.

 

 

Edhe pse në një kohë patën hatër mbetje, së fundmi ata u pajtuan kur shkuan në shtëpi te deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala.

“Ata bashkë kanë ardhur, kanë mujtë me u taku rastësisht, por te unë bashkë kanë ardh”, kishte thënë ditë më parë, Haxhi Shala.

Hashim Thaçit në krye të vendit nuk i ka mbetur edhe shumë, ai ka mandat vetëm deri në fillimin e viti 2021 por, nuk dihet nëse brenda kësaj kohe do të takoj edhe ndonjë kryeministër tjetër të ri të Kosovës.