Ilustrim: Kartela bankare - Foto: REL/TASS

BQK: Sektori bankar është i sigurt, nuk ka nevojë për panik

Pas publikimit të disa artikujve nëpër media për pasigurinë e të dhënave të qytetarëve nëpër bankat komerciale në Kosovë, Banka Qendrore e Kosovës ka dalë me një njoftim duke thënë se sektori bankar është i sigurt dhe se nuk ka nevojë për panik.

BQK ka sqaruar se në çdo rast kur ka dëmtim të klientëve të çfarëdo natyre, bankat bartin koston e zhdëmtimit të klientëve. Ata thonë se ka pasur raste kur BQK-ja ka kërkuar dhe bankat kanë zhdëmtuar klientët ndaj çfarëdo rreziku.

Sipas kumtesës së tyre, BQK në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe bankat komerciale, kanë ndërmarrë të gjitha masat, që klientët të mos dëmtohen nga asnjë veprim i kundërligjshëm.

“Bazuar në kompetencat e saj, BQK kryen ekzaminime të plota dhe të fokusuara  që përfshijnë edhe fushën e teknologjisë informative, duke përfshirë edhe sigurinë kibernetike. Pjesë e ekzaminimeve kanë qenë edhe gjetjet që kanë të bëjnë me fushën e teknologjisë informative, ku janë dhënë rekomandime të ndryshme, të cilat zbusin dhe zvogëlojnë mundësinë e kryerjes së keqpërdorimeve, duke rekomanduar vendosjen e kontrolleve adekuate të brendshme, në funksion të parandalimit edhe ndaj sulmeve kibernetike” – thuhet në njoftimin e BQK-së.

“Gjithashtu, BQK është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të adresuar çdo nevojë në zgjidhjen e problemeve në këtë sektor” – thuhet mes tjerash në komunikatë.

Sipas BQK-së, falë fushatave të ndërmarra është rritur edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të raportuar për rastet.

Sipas këtyre të dhënave, numri më i madh është në vitin 2022, në të cilën figurojnë 44 ankesa.

“Viteve të fundit transaksionet elektronike që ndryshe njihen si blerjet nga interneti, kanë shënuar rritje të madhe dhe interesimi i klientëve të bankave për të operuar në këtë fushë është i madh. Deri në tetor të këtij viti, janë lëshuar, mbi 1 milionë kartela për blerje elektronike dhe janë bërë 38 mijë e 112 transaksione në vlerë prej 2 milionë e 431 mijë e 910 euro”- thuhet në njoftimin e BQK-së.