Ilustrim

Tre të vrarë dhe tetë të plagosur nga të shtënat masive në Teksas

Të paktën tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën nga të shtënat masive në Fort Uorth të Teksasit, pas përfundimit të një festivali vendor, thanë zyrtarët policorë të martën.

Të shtënat ndodhën pak para mesnatës të së hënës në një parking, konfirmoi policia.

Një person u shpall i vdekur në vendngjarje dhe dy të tjerë vdiqën në spital, ndërsa tetë persona të tjerë u shtruan në spital, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Policia ende ka paqartësi sa i përket motivit të të shtënave dhe të dyshuarve të përfshirë. Asnjë arrestim nuk është bërë.

“Ne nuk e dimë nëse kjo është e lidhur me familjet, nëse është e lidhur me bandat. Është shumë herët për të thënë diçka”, tha Shawn Murray, një zyrtar i lartë në Departamentin e Policisë në Fort Uorth.

Të shtënat ndodhën në seksionin Como të Fort Uorthit, disa orë pas përfundimit të festivalit vjetor ComoFest. Festivali organizohet për të festuar katër korrikun – ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Që nga fillimi i vitit 2023, në SHBA janë regjistruar mbi 340 të shtëna masive.

Në një incident tjetër me të shtëna të hënën mbrëma, pesë persona u vranë dhe dy u plagosën në Filadelfia, dhe një i dyshuar u arrestua.

Të shtënat në mbrëmjen e së hënës erdhën dy ditë pasi dy persona u qëlluan për vdekje dhe 28 të tjerë u plagosën në një festë në një lagje në Baltimor të SHBA-së.

Vetëm gjatë këtij viti, 21.696 persona janë vrarë, përfshirë 12.144 vetëvrasje.

Vitin e kaluar, 44.357 persona u vranë nga dhuna me armë në SHBA dhe mbi gjysma e tyre ishin vetëvrasje./REL