Ilustrimi: Nasa

NASA bën të ditur në prill ekuipazhin që do të fluturojë rreth Hënës

Agjencia amerikane e hapësirës NASA dhe ajo e Kanadasë CSA, muajin e ardhshëm do t’i publikojnë emrat e 4 astronautëve – 3 nga Amerika dhe një nga Kanadaja – që do të fluturojnë rreth Hënës vitin e ardhshëm, ka bërë të ditur udhëheqësi i NASA-së, Bill Nelson.

Nelson tha se anëtarët e ekuipazhit të misionit Artemis ll do të bëhen të ditur më 3 prill.

‘’Me datë 3 prill ne do të bëjmë të ditur ekuipazhin për Artemis! Katër anëtarë të ekuipazhit, tre nga NASA dhe një nga Agjencia hapësinore e Kanadës CSA do të fluturojnë për rreth Hënës. Së bashku, ata do të testojnë raketën e Sistemit të Nisjes Hapësinore (SLS) të NASA-së dhe anijen kozmike Orion’’ – ka shkruar Nelson në llogarinë e tij në Twitter.

Misioni i parë i Artemis u realizua më 16 nëntor të vitit 2022, ku u dërgua anija kozmike Orion me anë të raketës ‘’Sistemi i Nisjes Hapësinore – SLS’’ në drejtim të Hënës.

Orion u dërgua pa ekuipazh me qëllim të testimit të anijes dhe u kthye në Tokë më 11 dhjetor të 2022, pas 25 ditësh udhëtim rreth Hënës.

Ndërsa, Artemis ll pritet të realizohet në nëntor të 2024 dhe do të zgjasë përafërsisht 10 ditë.

Artemis është program i misioneve që do ta rikthej njerëzimin në Hënë, duke dërguar astronauten e parë grua dhe astronautin e parë me ngjyrë, të cilët do të qëndrojnë për disa ditë.

Misioni Artemis lll, pritet t’i dërgoj astronautët për të qëndruar në polin e jugut të Hënës, në vitin 2025.

E gjitha kjo do t’i ndihmojë misionit për udhëtim në Mars.

Ndërkohë, NASA ka informuar publikun se më 15 mars, pritet ta shfaqë një prototip të kostumeve të astronautëve, të cilat do t’i veshin në Hënë.