Izraeli zgjeron urdhrat për evakuim në Gazë

Ushtria izraelite ka urdhëruar të dielën që më shumë rajone rreth qytetit të dytë më të madh të Gazës, Han Junis, të evakuohen, teksa vazhdon ofensivën tokësore dhe ajrore.

Sipas ushtrisë, në gjysmën e dytë të jugut të Gazës fshihen liderë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Hamasi udhëheq Gazën prej vitit 2007.

Në zonat rreth Han Junisit dhe Rafahut, është raportuar për bombardime intensive në orët e fundit.

Pjesa më e madhe e 2.3 milionë banorëve të Gazës, janë duke u strehuar në jug, pasi Izreeli u ka kërkuar atyre të largohen prej zonës veriore, qysh në ditët e para të nisjes së luftës, tashmë dymujore.

Me rikthim të luftimeve, janë shuar shpresat për vazhdim të një ndonjë armëpushimi të përkohshëm.

Një pauzë njëjavore në luftime, që ka skaduar të premten, ka mundësuar lirimin e shumë pengjeve të marra nga Hamasi në Izreal, si dhe me lirimin e shumë palestinezëve prej burgjeve izraelite.

“Ne do ta vazhdojmë luftën derisa t’i arrijmë qëllimet tona, dhe është e pamundshme të arrijmë qëllimet tona pa një operacion tokësor”, ka thënë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Të dielën, ushtria izraelite u ka kërkuar banorëve në dhe rreth Han Junisit, që të zhvendosen për sigurinë e tyre.

Banorët kanë thënë se ushtria izrealite ka hedhur prej ajrit letra me mesazhet: Han Junisi është zonë e rrezikshme e luftimeve.

Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se këto zona, që u është thënë banorëve të largohen, përbëjnë rreth një të katërtën e territorit të Gazës.

Sipas tyre, në ato zona kanë banuar rreth 800.000 njerëz, para luftës.

Para rinisjes së luftimeve, Shtetet e Bashkuara, aleatet më të ngushta të Izraelit, e kanë paralajmëruar këtë shtet që të shmangë zhvendosjet masive.

Autoritetet në Gazë kanë thënë se prej ditës kur ka nisur lufta, më 7 tetor, mbi 15.200 njerëz janë vrarë, si pasojë e sulmeve izraelite.

Izraeli deklaron vazhdimisht se shënjestron militantë të Hamasit dhe u vë fajin atyre për vrasjet e civilëve, duke thënë se ata po fshihen në lagje të banueshme.

Izraeli ka thënë se të paktën 78 ushtarë të saj janë vrarë, prej nisjes së ofensivës në Gazë.

Lufta është nxitur pas sulmeve të Hamasit, më 7 tetor, në tokën izraelite, duke vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë.

Rreth 240 persona tjerë janë marrë peng.

Rinisja e luftimeve ka rritur shqetësimet për 137 pengje që janë ende në duart e Hamasit.

Shumica e tyre besohet se janë gra dhe fëmijë/REL/.