Autoritet iraniane arrestojnë futbollistin më të mirë iranian për 'përhapje të propagandës kundër shtetit'

Forcat iraniane të sigurisë e kanë arrestuar të enjten një nga futbollistët më të famshëm të Iranit, duke e akuzuar atë për ‘përhapjen e propagandës kundër Republikës Islamike dhe minimin e ekipit kombëtar të Kupës së Botës’.

Voria Ghafouri, ish-anëtar i ekipit kombëtar të futbollit dhe dikur kapiten i klubit të Teheranit Esteghlal, është shprehur hapur në mbrojtjen e tij ndaj kurdëve iranianë, duke i thënë qeverisë në mediat sociale që ta ndalojë vrasjen e kurdëve. Ai ka qenë më parë i arrestuar për kritika ndaj ish-ministrit të jashtëm iranian, Javad Zarif.

Kombëtarja e Iranit do të luajë të premten kundër Uellsit. Skuadra iraniane tashmë është përfshirë në polemika pasi dështoi të këndonte himnin kombëtar para ndeshjes së saj kundër Anglisë dhe arrestimi i Ghafourit ka të ngjarë të shihet si një paralajmërim për lojtarët që të mos i përsërisin kundërshtimet apo mospajtimet e tyre me shtetin Islamik.

Ai u arrestua pas një seance stërvitore me klubin e tij, Foolad Khuzestan, me akuzën se kishte “njollosur reputacionin e ekipit kombëtar dhe përhapur propagandë kundër shtetit”, tha agjencia e re Fars.

Agjencitë e tjera thanë se ai po akuzohet për “fyerje dhe qëllim për të shkatërruar ekipin kombëtar të futbollit dhe duke folur kundër regjimit”.

Ministrat iranianë ditët e fundit e kanë akuzuar Ghafurin si separatist kurd, por ai u përgjigj se do ta jepte jetën për Iranin.

Në fillim të këtij viti, udhëheqësi suprem, Ayatollah Ali Khamenei, ka deklaruar se “disa njerëz, të cilët përfitojnë nga paqja dhe siguria e vendit, duke shijuar punën e tyre dhe sportet e tyre të preferuara, po e kafshojnë dorën që i ushqen”, duke iu referuar Ghafourit.

Futbollisti, 35 vjeç, ishte anëtar i skuadrës së Iranit për Kupën e Botës 2018, por çuditërisht nuk u emërua në formacionin përfundimtar për Kupën e Botës të këtij viti në Katar.

Me origjinë nga qyteti i populluar nga kurdët, Sanandaj në Iranin perëndimor, Ghafouri kishte postuar një foto në Instagram të tij me veshje tradicionale kurde në malet e Kurdistanit, por është një hero kulti përtej veriperëndimit të Iranit. Sanandaj i ka duruar disa nga goditjet më të dhunshme në protestat që pasuan vdekjen në paraburgim të Mahsa Amini, një kurde iraniane 22-vjeçare, dhe Ghafouri i kishte vizituar disa nga të plagosurit në protestat në Mahabad.

Në vitin 2019, ai shpërndau fanella blu për nder të Sahar Khodayarit, një gruaje që u vetëdënua pasi u dënua me burg për tentativë për ta parë një ndeshje të Esteghlal në stadiumin Azadi. Pas një tjetër incidenti dhune ndaj tifozëve femra të futbollit në vitin 2021, Ghafouri shkroi në Instagram: “Si një futbollist, me të vërtetë jam poshtëruar kur luaj në një epokë kur nënave dhe motrave tona u ndalohet hyrja në stadiume”.

Shumë tifozë sugjeruan se karriera e tij në Esteghlal, një ekip fitues i kampionatit, u ndërpre në muajin qershor si ndëshkim për shkak se ka folur hapur.

Së fundmi ai shkroi në Twitter: “Ndaloni të vrisni popullin kurd!!! Kurdët janë vetë Irani… Vrasja e kurdëve është e barabartë me vrasjen e Iranit. Nëse jeni indiferent ndaj vrasjes së njerëzve, nuk jeni iranian dhe nuk jeni as qenie njerëzore… Të gjitha fiset janë nga Irani. Mos vrisni njerëz!!!”/The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala