Të gjitha shërbimet në Zagreb ishin në terren pas stuhisë. Foto: Zjarrfikësit e Zagrebit.

Bosnje, Kroaci, Serbi, numërimi i kostos së stuhisë vdekjeprurëse

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën pas një stuhie shkatërruese që shpërtheu të mërkurën në katër vende të Ballkanit, ndërsa kostoja e riparimit të dëmeve do të jetë e lartë.

Një stuhi me erëra me shpejtësi 150km/h shpërtheu të mërkurën në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Serbi duke lënë gjashtë të vrarë dhe qindra të tjerë të plagosur.

Stuhia që pasoi një valë të të nxehtit, ka shkaktuar miliona euro dëme, duke lënë pemë të rrëzuara, çati të shkatërruara dhe automjete e infrastrukturë të dëmtuar.

Katër njerëz kanë vdekur të mërkurën në Kroaci, dy në qendër të qytetit të Zagrebit, një në zonën e Brod-Posavina dhe një zjarrfikës në Vukovar-Srijemit.

“Era ka rrëzuar mbi 1,000 pemë. Prioriteti ynë është pastrimi i pemëve nga rrugët dhe rivendosja e transportit publik. Një pjesë e madhe e transportit publik nuk ka qenë në funksion mëngjesin e sotëm. Teleferiku sot nuk punon”, tregoi në një konferencë për shtyp kryetari i Zagrebit, Tomislav Tomaseviç të mërkurën.

Në Kroaci rreth 200 njerëz janë lënduar dhe më shumë se 2,000 ndërtesa janë shkatërruar dhe qendra emergjente e qytetit ka marrë më shumë se 4,500 thirrje.

Stuhia ka prekur 14 shtete dhe qytetin e Zagrebit.

Të gjitha shërbimet në Zagreb ishin në terren pas stuhisë. Foto: Zjarrfikësit e Zagrebit.

Ministri kroat i Shëndetësisë tha se 130 njerëz kanë qenë të lënduar në zonën e Zagrebit, 13 prej tyre me lëndime serioze.

Më shumë se 2,000 objekte banimi, ndërtesa tregtare dhe ndërtesa të tjera  dhe një numër i madh automjetesh. Autoritetet po vijojnë vlerësimin e dëmeve.

Ndër të tjera dy shkolla, dy qendra shëndetësore, pesë klinika dhe një spital u dëmtuan në qytetin e Zagrebit. Shiu dhe era e stuhishme në Zagreb hoqi tjegulla dhe çati prej kallaji dhe rrëzoi pemë e shkëputi linja elektrike.

Dy prej viktimave, një këmbësor 50 vjeç dhe një shofer 48 vjeç vdiqën nga rrëzimi i një peme, dhe një burrë 40 vjeç, nga Komuna e Cernikut në shtetin Brod-Posavina, vdiq në makinë kur një pemë ra mbi të.

Rrugët në Zagreb u bllokuan plotësisht gjatë dhe pas stuhisë. Foto: Mbrojtja Civile Kroate.

Një pjesëtarë vullnetar i zjarrfikësve të Tovarnikut, Zvonko Drmic, vdiq gjatë ndërhyrjes, por jo si pasojë e drejtpërdrejtë e stuhisë.

Pasojat e stuhisë janë regjistruar edhe në vende të tjera. Disa persona u plagosën në Pozega-Slloveni, dëmtime në ndërtesa u regjistruan edhe në vendet Vukovar-Srijem, Krapina-Zagorje dhe Bjelovar-Bilogora, ndërsa në pjesë të tjera të Kroacisë kontinentale, stuhia shkaktoi vështirësi në qarkullim dhe ndërpreu furnizimin me energji elektrike.

Ende nuk është përcaktuar në total dëmi material. Kryeministri Andre Plenkovic tha që qeveria do t’i ndihmojë me riparime.

Slloveni, Foto: PGD Smarje

Stuhia goditi edhe Slloveninë të mërkurën pasdite, përpara se të kalonte në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë e Serbi, duke shkaktuar një vdekje në Bled, Slloveni sipas agjencisë së lajmeve të vendit, STA.

Në Bled, një person është mbytur nga rrëzimi i një peme, derisa një tjetër është lënduar. Në veri të Sllovenisë dy njerëz janë lënduar kur rrufeja goditi një kamp afër Muzirjit.

Stuhia shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në të gjithë vendin, tha STA.

Reth 300 zjarrfikës slloven u mobilizuan për të pastruar pemët e rrëzuara, shtyllat elektrike dhe telekomunikuese, për të siguruar çatitë e ekspozuara dhe për të ndihmuar në evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikuara.

Në kryeqytetin Lublanë, era hoqi çatinë metalike të stadiumit te Plecnikut dhe në Celje u dëmtua edhe çatia e stadiumit të futbollit. Kjo ishte stuhia e dytë e fortë që goditi Slloveninë në më pak se 24 orë.

Skenë apokaliptike pas stuhisë në Bijeljina. Foto: Klix.ba

Stuhia e përmasave të uraganit, mori po ashtu  edhe një jetë në Bosnje, ku pjesa verilindore e vendit u godit më shumë. Në rrethin e Brckos një njësi administrative, një grua humbi jetën, ndërsa mbi 20 persona u plagosën.

Bosanksi Samac dhe Bijeljina në entitet Republika SRPSK të Bosnjës u goditën rëndë nga stuhia. Më shumë se 20 persona u lënduan në Bijeljina, e cila u bllokua plotësisht nga materialet e bartura nga erërat. Autoritetet lokale raportuan se më shumë se 5,000 familje aktualisht janë pa energji elektrike.

Qindra pemë kanë rënë në Bijeljina. Foto: Klix.ba.

Kantoni i Tuzlës një nga dhjetë entitetet e Federatës së Bosnjës, ka pasur gjithashtu dëme të konsiderueshme. Më shumë se 100 objekte u dëmtuan, ndërsa autoritetet janë ende duke vlerësuar pasojat.

Graqanica, Llukavac dhe Kalesija ishin ndër qytetet më të prekura.

Stuhia u përhap edhe në Serbi, por pa viktima. Beogradi, Novi Sadi. Valjeva, Nishi, Krajleva, u goditën më keq nga era dhe shiu i fortë. Novi Sadi ka pësuar më së shumti, me dhjetëra pemë të prera, duke dëmtuar makina, prona private dhe infrastrukturën.

Mediat raportojnë për ndërtesa të dëmtuar, duke përfshirë një shkollë fillore. Një fëmijë 12 vjeç ka mbetur i plagosur nga rrëzimi i një peme. Departamenti i Emergjencave i Ministrisë së Brendshme të Serbisë tha se 18 persona u evakuuan të mërkurën në mbrëmje.

Përgatiti: Veronë Zymberi