Foto: Ministria e Shëndetësisë

Bordi i ri i SHSKUK-së zgjedh kryesues sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë

Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, u zgjodh sot kryesues i bordit të ri të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.

Ai u zgjodh me votë unanime nga ky bord, i cili u emërua më 26 shkurt nga Qeveria e Kosovës.

Bordi i ri përbëhet nga Dren Boshnjaku – përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni – përfaqësuese nga Klinika Stomatologjike e QKUK-së, Rrezarta Bajrami nga IKSHPK, Besim Demolli nga Spitali i Ferizajt, Vjollca Kadolli nga Shërbimi i kujdesit parësor shëndetësor dhe Naim Bardiqi si përfaqësues nga MSH.

Ministria njofton se një ekspert i menaxhmentit shëndetësor do të zgjidhet në bazë të konkursit publik.

Sot bordi i ri dhe bordi i vjetër u takuan bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe u.d. drejtoreshën e SHSKUK-së, Narqize Arenliu – Hoxhaj.

Dy të fundit uruan anëtarët e bordit të ri për detyrën e re. Vitia i dëshiroi suksese bordit të sapoemëruar në angazhimin e përbashkët në të mirë të institucionit dhe të shëndetit të qytetarëve, ndërkaq falënderoi bordin e vjetër për angazhimin në tri vitet e fundit, e sidomos në përballje me pandeminë COVID -19.

“Në fillim të punës kishim situatën me pandeminë COVID-19 që ishte një sfidë e jashtëzakonshme për sistemin shëndetësor. Duke falënderuar bordin e kaluar arritëm që me shumë punë, angazhim dhe përkushtim, t’ia dalim bashkërisht. Këta individë të jashtëzakonshëm, profesionistë shembull kanë dhënë kontribut kyç gjatë kësaj kohe dhe standardi i cili është ngritur besojmë që do të jetë ndihmesë edhe për bordin aktual për rrugën të cilën e kemi përpara” – u shpreh ministri.

Bordi paraprak përbëhej nga Aida Rexhepi, Agreta Gecaj; Xhevat Jakupi, Mentor Sadiku, Enver Gashi dhe Vjollca Kadolli. Kadolli është e vetmja anëtare e riemëruar.

As Ligji për Shëndetësi, as statuti i SHSKUK-së nuk cek nëse një anëtar i bordit të SHSKUK-së mund të ushtrojë më shumë se një mandat.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për KALLXO.com tha se nuk ka ndalesë ligjore që dikush të ketë më shumë se një mandat, prandaj nuk paraqet kufizim.