Bordi i Postës i kërkon u.d. kryeshefit anulimin e emërimit të dy këshilltarëve të rinj

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Postës se Kosovës, Rafet Jashari, ka emëruar dy këshilltar të rinj.

Mirëpo për këto emërime nuk ka qenë i njoftuar bordi i Postës.

Pas interesimit të KALLXO.com, kryesuesja e bordit, Safije Beseni, ka thënë se kanë kërkuar anulimin e këtij vendimi për këshilltarët.

“Jashari ka emëruar dy këshilltarë, ne si bord drejtues nuk kemi qenë të informuar dhe pasi qe e kemi analizuar procesin e emërimit, si bord kemi rekomanduar ushtruesin e detyrës së kryeshefit që ky emërim të anulohet”, tha Beseni.

Ajo shtoi se rekomandimin e bordit Jashari e ka përfillur.

“Jashari ka pranuar dhe duke filluar nga nesër në mëngjes ata nuk do të jenë në këtë pozitë”, tha Beseni.

KALLXO.com në lidhje me këto emërime ka kontaktuar edhe vetë Jasharin por i njëjti nuk ka dashur të komentojë.

“Te gjitha informatat që po i kerkoni i merrni nga kryesuesja e bordit të drejtorëve të Postës së Kosovës”, u përgjigj shkurt Jashari.

Rafet Jashari është emëruar ushtrues detyre i kryeshefit të Postës më 3 qershor pas shkarkimit të ish-kryeshefit Xhevdet Smakiqi.