Bllokimi i rrugëve në Shtërpcë, turistët anulojnë rezervimet në Hotele të Brezovicës

Për shkak të plagosjes së 11 dhe 21 vjeçarit në Shtërpcë, banorët kanë bllokuar rrugët.

Si pasojë e kësaj, është pamundësuar edhe kalimi i qytetarëve të cilët kanë zgjedhur Brezovicën për pushime dimërore.

KALLXO.com ka kontaktuar me një nga hotelet, të cilët kanë konfirmuar se qytetarët kanë anuluar rezervimet e tyre pasi nuk kanë pasur mundësi të kalojnë për në Brezovicë, si pasojë e bllokimit të rrugëve.

“Shkaku që është e premte e kemi fluksin e lartë të mysafirëve, por për shkak të plagosjes që ka ndodhur, shumë mysafirë janë kthy rrugës. Na kanë telefonu dhe na kanë pyetur për ndonjë alternativë tjetër sepse shumica kanë ardhë nga Shtërpca dhe rruga ka qenë e bllokuar”- kanë thënë për KALLXO.com nga recepsioni i një nga bisneseve në Brezovicë.

Nga hotelet thonë se turistët kanë provuar që  të kalojnë edhe nga Prizreni, mirëpo edhe aty ka qenë e bllokuar.

Bllokimin e rrugëve për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, i cili tha se banorët e Shtërpcës kanë bollukar rrugët që shërbejnë për hyrje dhe dalje.

Në lidhje me rastin e plagosjes, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar me inicialet A. K.

Në një komunikatë për media, Policia thotë se nga i dyshuari, hetuesit kanë gjetur e më pas kanë konfiskuar armën e zjarrit (pistoletë) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

Nga A. K. gjithashtu është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve me të cilën dyshohet se ka lëvizur ai.

Ndërkaq ministri i Mbrojtje, Armend Mehaj ka njoftuar se në këtë rast është i përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndaj të cilit Mehaj tha se do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve që janë në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së.

Bllokohet rruga për të hyrë dhe dalë nga Shtërpca

Plagosja e dyfishtë në Shtërpcë, arrestohet një i dyshuar