Blakaj: Gjyqësori vazhdon të vlerësohet si hallka më e dobët e sistemit në Kosovë

Ish prokurori i Kosovës Elez Blakaj, ka thënë se nga përvojat e zgjedhjeve deri me tani, është dëshmuar se klasa politike në Kosovë për asgjë tjetër, e ka përvetësuar strategjinë dhe kreativitetin e premtimeve në fushata parazgjedhore.

Blakaj tha se me programet e ofruara do të befasoheshin edhe shtetet skandinave, por përtej premtimeve, sipas tij vazhdojmë të ngelemi në nivelin e shteteve të Afrikës qendrore.

“Kjo po vazhdon të ndodhë për shkak se kërkesat e qytetarit të Kosovës nuk po merren seriozisht. Qasja kur qytetarët vetëm tani bëhen shumë të rëndësishëm si votues- për një muaj, e pastaj harrohen përsëri duke u injoruar dhe trajtuar vetëm si numër, të cilët vetëm duhet të paguajnë taksa, të jenë të përgjegjshëm, të dëgjueshëm dhe të pajtohen me të gjitha vendimet politike pavarësisht kostos i cili bie mbi kurrizin e qytetarëve, është qasje ofenduse”, tha Blakaj përmes një postimi në facebook.

Blakaj shtoi se edhe më ofendues është fakti kur personat të veshur me pushtet, kanë provuar të flasin e improvizojnë zgjidhje për drejtësinë, ndërsa sipas tij realiteti ka dëshmuar se janë dhunuesit dhe keqpërdoruesit më të mëdhenj të ligjit.

“Mungesa e vullnetit politik për të mbështetur reformat gjyqësore nga të njëjtët aktorë, e ka fundosur gjyqësorin edhe më shumë, i cili vazhdon të vlerësohet nga qytetarët e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtare të besueshëm si hallka më e dobët e sistemit në Republikën e Kosovës”, tha Blakaj.

Sipas tij në këto zgjedhje, qytetarët duhet zgjedhin njerëz me integritet, sepse kjo është një garancë se mund të kemi vullnet politik për reforma dhe përkrahje serioze në drejtësi, e të cilët në agjendën e tyre duhet të kenë top prioritet mbështetjen e plotë dhe pa asnjë ndikim politik të pushtetit gjyqësor, me qëllim që pushteti gjyqësor të këndellet dhe ta fitojë besimin e qytetarëve.

“Një sistem gjyqësor funksional e me integritet është figura kryesore e imazhit të një vendi, është gardian i demokracisë, e poashtu është parakusht dhe frymarrje kryesore për zhvillimin e të gjitha fushave në rendin juridik dhe kushtetues të një vendi të zhvilluar”, shtoi ai.

“Nëse duam ta zhvillojmë dhe integrojmë Kosovën, se pari duhet ta reformojmë dhe fuqizojmë sistemin gjyqësor, pastaj të tjerat janë sfida të zakonshme”, tha ai.