
Foto: ZKM
Biseda e plotë në shqip e kryeministrit Kurti me komedianët rusë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rënë në kurthin e komedianëve rusë, “Vovan & Lexus”. Ata kanë publikuar një video ku ai shihet duke bashkëbiseduar me dikë, me bindjen se po flet me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs.
Në video, Kurti dëgjohet duke u ankuar se ndaj tij ka pasur luftë hibride të orkestruar kryesisht nga Serbia dhe Rusia, pa i përjashtuar edhe disa “elementë brenda Kosovës”.
Qeveria e Kosovës ka reaguar në lidhje me “prankun” e komedianëve duke shpjeguar se ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, “në një periudhë kur kryeministri Kurti po merrte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve”.
“Për shkak të kufizimeve kohore, nuk ishte gjithmonë e mundur të kryhej verifikimi i plotë i çdo telefonate”- thuhet në reagim.
Kjo është biseda e plotë, e përkthyer në shqip, mes kryeministrit Albin Kurti dhe komedianëve rusë:
Folësi: Të urojmë për fitoren tuaj, fitoren tuaj të madhe!
Kurti: Faleminderit për urimin tuaj! Ishte kjo lufta hibride kundër Qeverisë sonë që nga fillimi dhe kryesisht vjen nga Serbia, nga Rusia, por edhe nga disa elementë të tyre brenda Kosovës. Pra, lufta hibride, dezinformimi e këto. Së dyti, ishin premtimet irracionale të opozitës që në njëfarë forme po flirtonin me luftën hibride. Dhe së treti janë oligarkët në vendin tonë, sidomos një prej tyre që është pronar i një televizioni.
Folësi: Çfarë mendoni për zgjedhjet, kam dëgjuar çfarë ka ndodhur me USAID-in dhe e di çfarë po ndodh me ambasadorin special, Richard Grenell.
Kurti: Krejt këto katër vjet kundër meje. Ishte instrument për rrëzimin e Qeverisë sime të parë në vitin 2020. Qeveria ime ishte e vetmja që u rrëzua gjatë pandemisë. Tani ai po bashkëpunon goxha shumë me opozitën, mori një, një çmim të madh në Beograd si diplomat. Pra nuk është në rregull të pranosh një çmim nga një shtet autoritar dhe të pretendosh se je neutral. Tani ka një detyrë të re. Detyra e tij është në Institutin Kennedy. Aty duhet të merret me vlerat amerikane. Mendoj se Trump e vendosi kundër LGBTQ, ani pse vetë Grenelli është gay.
Folësi: A e dini që edhe unë jam gay?
Kurti: Jo, nuk e di.
Folësi: Jam haptazi gay. Kjo do të thotë se unë jam kundër tij, kështu që…
Kurti: Po, ai është…. sapo ta gjej, më fal për këtë, por na është thënë të gjithëve pozita që i është dhënë. Kështu që Donald Trump thot se unë jam shumë i lumtur që Richard Grenell do të shërbejë si drejtor i përkohshëm ekzekutiv i Institutit të Qendrës Kennedy. Ai thot se Rick ndan vizionin tim për epokën e artë për artin dhe kulturën amerikane, dhe do të mbikëqyrë operacionet e përditshme të Qendrës. Jo më “shfaqje drag” dhe propaganda kundër Amerikës. Vetëm më të mirat.
Folësi: Për mua qëllimi kryesor është rrëzimi i Rusisë.
Kurti: Pajtohem plotësisht, sepse nuk do të kemi paqe në Europë, askush prej nesh me Rusinë ekspansioniste dhe imperialiste dhe ne në Ballkan jemi të brishtë, Moldavia është e brishtë, sepse ne në Ballkan nuk jemi pjesë e NATO-s dhe duam të bëhemi pjesë e saj sa më shpejt që është e mundshme, por janë katër shtete mosnjohëse brenda NATO-s; Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia. Faleminderit!
Folësi: Por e dini se ka probleme me sllovakët, me suedezët, me njerëzit e tjerë, në Rumani…
Kurti: Po, është e vërtetë, dhe ato po bëhen shtete populiste të krahut të djathtë, sepse ka shumë luftë hibride dhe dezinformim, por jam shumë i shqetësuar. Shpresoj se gjërat do të përmirësohem me Komisionin e ri Europian, sepse përndryshe, druaj se po humbim kohë duke mos u bërë tok dhe më veprues ndaj Kremlinit. Ukraina është dashur të furnizohet me pajisje më të mira ushtarake për të luftuar dhe fituar. Mendoj se për këto tre vjet është dashur të bëhet më shumë dhe mund të bëhet më shumë. Ukraina ishte sfidë dhe beteja ku supremacia e forcave demokratike ushtarake perëndimore është dashur ta tregonte veten. Më kujtohet në fillim të viteve ‘80, talebanët merrnin më shumë armë ushtarake nga SHBA-ja për ta dëbuar Bashkimin Sovjetik, e dini. Tani Ukraina duhet ta shporrë Federatën Ruse, por për atë qëllim…
Folësi: Pra po krahasoni Ukrainën me talebanët, apo jo?
Kurti: Jo, jo, nuk po i krahasoj ato, por vetëm po them se është e rëndësishme që të ketë armë të sofistikuara kundër Rusisë. Dhe thjesht po them se edhe talebanët, organizata e tmerrshme militante, organizatë kriminale, edhe ata katër dekada më parë, po furnizoheshin nga SHBA-ja me shumë armë kundër Bashkimin Sovjetik. Kështu me të drejtë, SHBA-ja donte ta hiqte qafe Bashkimin Sovjetik, Perëndimi ndihmoi Afganistanin të çlirohet, ani pse ato armët ranë në duar të gabuara.
Në Ukrainë keni qeveri demokratike, kështu që ata duhet të ndihmohen me gjithçka që kërkojnë dhe u duhet. Këtë po e them unë.
Ne po blejmë armë nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Kroacia dhe Turqia dhe do të ndërtojmë një fabrikë armatimi në Kosovë. Pikërisht këtë po bëjmë, që të prodhojmë municion. Po blejmë shumë, por duam edhe të prodhojmë.
Folësi: Pra, po përgatiteni për një luftë botërore?
Kurti: Po përgatitemi të bashkohemi me NATO-n, ta forcojmë ushtrinë tonë dhe ta bëjmë armikun tonë, Serbinë, të mendojë dy herë para se të na sulmojë përsëri, sepse ata na kanë sulmuar disa herë në shekullin e kaluar. Ne duhet të bëhemi më të fortë.
Folësi: Pyetja në listën time është edhe problemi me kanalin e Ibër-Lepencit?
Kurti: Po, ata e hodhën në erë, por ne e riparuam.
Folësi: Por kush ishte pas sulmit?
Kurti: Mendoj se ishte Serbia, ndoshta edhe Rusia, por Serbia sigurisht.
Folësi: A je i sigurt?
Kurti: Po, ka shumë elemente që çojnë në drejtimin se grupi i Radoiçiqit fshihet prapa.
Folësi: Oh, me të vërtetë?
Kurti: Po.
Folësi: Çfarë mendoni për përkrahjen për USAID-in? Trump do ta shpërbëjë këtë program.
Kurti: USAID-i na ka ndihmuar neve shumë, kanë qenë 25 vjet të bashkëpunimit të fuqishëm dhe shumë të ngushtë. Por, tani nuk e di. Administratë e re, qëndrime të reja.
Kurti: Është shumë e rëndësishme të hiqen masat kundër Kosovës dhe të na ndihmojnë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës dhe në NATO. Anëtarësimi në BE do të marrë kohë, por Këshilli i Europës dhe NATO- janë më të mundura dhe tashmë kemi kaluar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës
Folësi: Çfarë mendon për protestat në Beograd, mendoj se shumë njerëz në vendet perëndimore janë të gatshëm ta rrëzojnë Vuçiqin.
Kurti: Po, por opozita demokratike në Serbi në këtë formën e lëvizjes studentore nuk po merr përkrahje të mjaftueshme nga BE-ja dhe SHBA-ja. Ato duhet t’i përkrahin më shumë.
Folësi: Pra cili është propozimi juaj për t’ia bërë çarenë kësaj çështjeje?
Kurti: Propozimi im është që të hiqet qafe regjimi pro-rus në Serbi dhe që Serbia ta njohë Kosovën. Serbia duhet ta njohë Kosovën, dhe.. por nuk ka mjaft presion nga Perëndimi ndaj Beogradit që ta bëjë këtë.
ATA: Po, për Listën Serbe?
Kurti: Kryetari dhe lideri i saj de facto është Millan Radoiçiq, i cili është kriminel dhe ai ka vrarë rreshterin tonë policor.
Folësi: Por nëse ai është kriminel, ju mund ta kapnit?
Kurti: Ai është në Serbi, nuk mund ta arrestojmë në Serbi. Kemi pasur dy probleme të mëdha, një është politika agresive e Serbisë…
Folësi: Po.
Kurti…. dhe, në anën tjetër ne kemi problemin që e kemi pasur me korrupsionin. Në Bruksel, duhet të hiqen këto masat kundër Kosovës, e dini që ne kemi këto masat.