Bibla Hebraike më shumë se 1000 vjet e vjetër shitet për 50 milionë dollarë

Një Bibël Hebraike që është më shumë se 1000 vjet e vjetër do të shitet në një ankand në Nju Jork për rreth 50 milionë dollarë, njoftoi shtëpia e ankandeve Sotheby.

Codex Sassoon është Bibla më e vjetër dhe më e plotë hebraike e zbuluar ndonjëherë, e cila daton nga fundi i shekullit të nëntë deri në fillim të shekullit të dhjetë. Do të bëhet dokumenti ose dorëshkrimi historik më i shtrenjtë që do të dalë ndonjëherë në shitje kur Sotheby’s ta nxjerrë në ankand në muajin maj.

“(Ai) është padyshim një nga tekstet më të rëndësishme dhe unike në historinë njerëzore”, thotë Richard Austin, udhëheqësi global i librave dhe dorëshkrimeve të Sotheby.

Codex Sassoon është një nga vetëm dy kodikët ose dorëshkrimet, që përmban të 24 librat e Biblës Hebraike që kanë mbijetuar deri në kohët moderne. Ai është dukshëm më i plotë se Kodiku i Aleppos dhe më i vjetër se Kodiku i Leningradit, dy Bibla të tjera të njohura të hershme hebraike, tha udhëheqësi i Sotheby’s.

Dorëshkrimi përfaqëson një lidhje midis Rrotullave të Detit të Vdekur, të cilat datojnë në shekullin e tretë para Krishtit, dhe formës moderne të pranuar të Biblës Hebraike.

Ai u emërua pas pronarit të mëparshëm, David Solomon Sassoon (1880-1942), i cili e mblodhi koleksionin privat më të rëndësishëm të teksteve të lashta hebreje në botë.

Dokumenti do të dalë në ankand për herë të parë në më shumë se 30 vjet, me një vlerësim të para-shitjes midis 30 dhe 50 milionë dollarë.

Në nëntor 2021, Sotheby’s shiti një nga shtypjet e para të Kushtetutës së SHBA për 43 milionë dollarë, një çmim rekord për një dorëshkrim historik./Klix.ba

Përgatiti: Nuhi Shala