Glauk Konjufca. Foto: Kuvendi i Kosovës

"Besoj i kemi numrat" - Konjufca optimist për formimin e Qeverisë së re

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca beson se i kanë numrat për formimin e Qeverisë së re.

“Krejt çka presim është të themelohet sa më shpejtë Qeveria. Fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi. Besoj i kemi numrat.” – tha ai për media, më 01.04.2025.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani sot pritet ta bëjë të ditur datën për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

“Dekreti për seancën konstituive pritet të publikohet sot gjatë ditës.” – tha Bekim Kupina, Këshilltar për media për KALLXO.com.

E pyetur për datën e kësaj seance Osmani, më 28.03.2025, ka thënë se do ta caktojë “shumë shpejt” dhe brenda afatit kushtetues.

Edhe pse janë certifikuar Zgjedhjet, kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar të japë përgjigje se si do të arrijë t’i bëjë 61 deputetë për ta formuar Qeverinë dhe nëse ka nisur bisedimet për koalicion paszgjedhor – ashtu siç kishte thënë.

Një ditë pas certifikimit, më 28.03.2025, KALLXO.com provoi ta marrë një përgjigje nga ai pas ceremonisë së certifikimit të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ferizaj, por ai iku pa asnjë përgjigje.

Në lidhje me bisedimet për koalicione, Kurti kishte thënë vetë se do të përgjigjet pas certifikimit të Zgjedhjeve.

Brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka pretendime se Nisma Socialdemokrate do t’i japë votat për krijimin e Qeverisë Kurti 3 – pa kurrfarë kushti. Mirëpo, ndryshe e shpjegojnë këtë në partinë që drejtohet nga Fatmir Limaj. Në Nismë mohojnë të kenë pranuar ndonjë ftesë nga LVV-ja për të biseduar rreth formimit të Qeverisë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Fatmir Matoshi, kandidat për Deputet nga NISMA në Zgjedhjet e 9 shkurtit dhe ish-Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Nuk kemi kërkesa, sepse nuk jemi duke e bërë ne Qeverinë, por është Vetëvendosja, nëse dëshiron ta bëjë. I takon VV-së me u mendu dhe me vendos nëse do ta bëjë Qeverinë. Nëse do, duhet me i çu ftesat, e mandej duhet me i trajtu. Ata nuk munden pafundësisht me u sjellë papërgjegjshëm me rezultatin e tyre që e kanë marrë.” – ka deklaruar Matoshi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin e Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025: me 9 vota për dhe 2 kundër në mbledhjen e së enjtes, më 27.03.2025.

Certifikimi i rezultatit të Zgjedhjeve hap rrugën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjes së Qeverisë së re.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 66 i saj parasheh që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës të mbahet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të Zgjedhjeve.

Paragrafi i Tretë i këtij Neni parasheh që seanca të thirret nga kreu i shtetit. Nëse presidentja Vjosa Osmani nuk vepron brenda këtij afati, Kuvendi i ri mblidhet vetë në ditën e 30-të.

“Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit.” – thuhet në Pikën 3 të Nenit 66 të Kushtetutës.

Në bazë të rezultateve të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 posti i Kryetarit të Kuvendit i takon LVV-së.

Sipas këtij rezultati Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave – duke i siguruar 48 deputetët në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë.

Lista Serbe do t’i ketë 9 deputetë, 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit.

10 deputetët e tjerë do të jenë nga komunitetet e tjera joshumicë.

Dy deputetë i ka Kosova Demokratik Turk Partisi dhe me nga një deputet janë partitë: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.