Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Tahiri: Qëndrimi i Kurtit për energjinë elektrike ka ndryshuar me ardhjen e tij në pushtet

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me premtimin kryesor për të zbritur çmimin e rrymës.

Ai e ka përmendur një deklaratë kryeministrit Albin Kurti lidhur me çmimin e energjisë elektrike.

Sipas Tahirit, ky qëndrim ka ndryshuar pas ardhjes në Kurtit në pushtet.

“Qysh ka mundësi të nderuar deputetë që njëri ndër premtimet kryesore me të cilat ju keni ardhur në këtë qeveri dhe në këtë pushtet ka qenë që ta zbrisni çmimin e energjisë elektrike, bile kryeministri thoshte, po e citoj, ‘ne paguajmë shumë shtrenjtë duke pasur parasysh që flemë mbi qymyr’. Këtë e ka thanë kryeministri i Kosovës. Dhe me ardhjen në pushtet ky qëndrim ndryshoi” – tha Besnik Tahiri.

Sipas tij, një megavat energji elektrike është blerë këtë vit dy herë më lirë se para dy vjetësh por është shit më shtrenjte.

“A ka dikush që e shpjegon se qysh ka mundësi me e ble një megavat këtë vit dy herë ma lirë se para dy vjetësh e çmimi me qenë ma i shtrenjtë? Mbi çfarë baze është ky çmim i energjisë elektrike për konsumatorë, për qytetarët e Kosovës kur dihet që ka një marrëveshje sa kushton, sa i jep KEK-u çmimin KEDS-it?”- u shpreh ai.

Ndërsa, Tahiri tutje ka përmendur edhe mos prezencën e kabinetit qeveritar në këtë seancë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit rezolutën në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

PDK prezanton rezolutën për uljen e çmimit të rrymës, këto janë rekomandimet