Besa Shahini

Rastet e coronavirusit në Itali, ministrja paralajmëron heqjen e licencës për shkollën që ndaloi mësimin krye në vete

Pasi u lajmëruan disa raste të coronavirusit në Itali, mbrëmë një shkollë private “Udha e Shkronjave” në Shqipëri, njoftoi se nuk do të zhvillojë mësim për dy javë.

Për këtë ka reaguar sot, ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini, e cila ka thënë se një shkollë mbyllet vetëm me urdhër të saj dhe për këtë ia kanë hequr licencën kësaj shkolle.

“Shkolla mbyllet jashtë planit të vitit shkollor VETËM me urdhër ministri. Udhëheqësit e një shkolle private kishin vendosur të mos respektonin këtë dhe e kanë mbyllur shkollën për 2 javë. Në kushte të kësaj paligjshmërie, jemi të detyruar që shkollës t’ia heqim licencën”, ka shkruar Shahini në Facebook.

Shahini ka shtuar se nxënësit e shkollës “Udha e Shkronjave” do të transferohen në një shkollë tjetër.

“Ndërsa udhëheqësit e shkollës që përhapin panik duke mbyllur shkollën në mënyrë të jashtëligjshme, për gjoja parandalim të një situate virale e cila NUK ekziston në Shqipëri, duhet të ndiqen nga organet e drejtësisë”, ka thënë më tej ajo.

Në vetëm dy ditë në Itali të prekurit me coronavirus kanë tejkaluar numrin 130, me 90 vetëm në Lombardi, e shumë të tjerë në Veneto.

Ambasada e Kosovës në Itali ka njoftuar se deri më tani nuk ka asnjë shtetas të Kosovës të prekur me coronavirus.

Ambasada e Kosovës në Itali: S`ka kosovarë të prekur nga Koronavirusi

www.kalllxo.com