Beogradi në natën e dytë të trazirave, protesta edhe në disa qytete tjera

Në natën e dytë radhazi në qendrën e Beogradit ka protesta të dhunshme, ndërsa sot protestat kundër presidentit Vuçiq po zhvillohen edhe në disa qytete tjera.

Presidenti Alseksandar Vuçiq për trazirat ka fajësuar ekstremistët e krahut të djathtë, madje në disa momente gjatë një konferencë një orë Vuçiq ka përmendur edhe oficerë dhe shërbime të inteligjencës së huaj.

Disa zyrtarë të Policisë dhe shumë protestues janë plagosur në trazirat që shpërthyen mbrëmë para Parlamentit të Serbisë në Beograd.

Protesta para parlamentit në Beograd, policë të lënduar, vetura të djegura

Një protestë që filloi me disa qindra pjesëmarrës por shumë shpejt u rrit në mijëra të tjerë që iu bashkuan filloi si pasojë e paralajmërimeve të Presidentit Vuçiq për vendosjen e masave të reja ndaj pandemisë COVID-19, si shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe kufizimi i lëvizjes totale gjatë ditëve të vikendit.

Protestat e dhunshme kanë vazhduar edhe sot duke filluar nga ora 20:00 kur filluan grumbullimi i protestuesve, dhe shumë shpejt gjithçka u kthye në dhunë, ndërsa Xhandarmëria me mjete të blinduara po shpërndan protestuesit, të cilët po përdorin mjete të forta për të goditur Policinë.

Raportohet për të plagosur ndërsa mediat akuzojnë xhandarmërinë se po përdor dhunë të paarsyetuar edhe ndaj personave që po protestojnë në mënyrë paqësor.

Protesta të dhunshme janë duke ndodhur edhe në qytetin Novi Sad, ku protestuesit e mbledhur para objektit të Komunës po godasin me gurë objektin ndërsa Policia me gaz lotsjellës po mundohet t`i shpërndaje protestuesit.

Skandaloze konsiderohet kur gjatë kohës kur në Beograd po ndodhin protesta dhe trazira të dhunshme, Radio Televizioni Publik RTS.rs, ka transmetuar filma aksion me aktorin Jackie Chan, televizion ky që konsiderohet si përkrahës i presidenti Vuçiq.

Në një konferencë të jashtëzakonshme presidenti Vuçiq tha se situata në Beograd dhe në katër qytete tjera ishte alarmante, duke njoftuar se rreth 4 mijë pacientë janë të shtrirë nëpër Spitale dhe Klinika Infektive.

Serbia është në javën kur pritet të formohet Qeveria, që pas zgjedhjeve të 21 qershorit partia e presidentit Vuçiq ka fituar 188, nga 250 ulëse në Parlament, dhe i njëjti mund të formojë një Qeveri të shumicës pa pasur nevojë për koalicione me subjekte tjera.