BE ende nuk ia njeh Kosovës certifikatat e vaksinimit

Qytetarët e Kosovës, nga janari i vitit të ardhshëm mund të mos lejohen të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian, pasi blloku nuk i njeh ende certifikatat e vaksinimit kundër koronavirusit, të lëshuara në Kosovë.

Ekspertë shëndetësorë në vend thonë se vendet e BE-së nuk u besojnë autoriteteve shëndetësore në Kosovë, pas skandalit me testet PCR, që rezultuan të punuara gabimisht, kur vendin e kishte kapluar vala me koronavirus.

Kosova, bashkë me Bosnje e Hercegovinën, mbeten dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor, të cilave BE-ja nuk ua njeh certifikatat e vaksinimit.

Kjo, edhe përkundër faktit se në Kosovë jepen vetëm vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Infektologu Ilir Tolaj duke folur për Radio Kosovën ka shpjeguar disa nga arsyet se pse shtetet e Bashkimit Evropian kanë dyshime për t’i pranuar certifikatat e tilla.

‘’Kjo është një pasojë e dështimeve të mëhershme të testimeve PCR që Instituti Kombëtar i ka bërë, të cilat në vende të BE kanë rezultuar të gabueshme. Në kuadër të kësaj, autoritetet e BE-së kanë dyshimet e tyre që edhe këto certifikata si edhe testet janë të gabuara ose  të falsifikuara  dhe kjo ka bërë që të hezitojnë ti pranojnë këto dokumentacione’’, ka thënë Tolaj për Radio Kosovën.

Tolaj shtoi se fakti që BE nuk i pranon certifikatat e vaksinimit të Kosovës nuk flet për vetë procesin e vaksinimit e as për vaksinat, por për institucionet e Kosovës.

‘’BE nuk iu beson në masën e duhur institucioneve të Kosovës e as autoritet shëndetësore për t’i pranuar dokumentet e tyre. Pra, kjo është pasojë e mëhershme që e ceka edhe më lart’’, tha Tolaj
Por nga Ministria e Shëndetësisë thonë  se problemi me certifikatat është i natyrës teknike.

“Jemi në fazën kur duhet të bëhet i lexueshëm kodi QR offline. Aktualisht është i lexueshëm vetëm online. Çështja ka të bëjë me aspektin teknik”, kanë thënë  nga Ministria e Shëndetësisë.
I ashtuquajturi kod QR, kur skanohet, ofron informacione për llojin e vaksinës së marrë, numrin e dozave dhe vendin e vaksinimit.
Ndryshe deri më tash, rreth 43 për qind e qytetarëve të Kosovës janë vaksinuar me nga dy doza. Nga 9 dhjetori ka nisur të administrohet edhe doza e tretë dhe doza përforcuese e vaksinës./RTK