ILUSTRIM- Xhami në Prishtinë. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Bashkësia Islame tregon se kur do të falet namazi i Kurban Bajramit

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka njoftuar se namazi i Kurban Bajramit do të falet të shtunën në orën 5.43 min.

Ndërsa, manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit sipas BIK-ut do të mbahet në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë.

“Namazi i Kurban-Bajramit falet në orën 5.43 min, të cilit do t’i prijë kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, Burhan ef. Hashani, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava”, thuhet në njoftimin e BIK.

Po ashtu në këtë njoftim BIKu ka bërë të ditur se me rastin e festës së Kurban Bajramit, ditën e parë, më 9 korrik 2022, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Kurban Bajramit.