Bashkëpunimi Kosovë-Mali i Zi, Konjufca pret në takim Gjeloshajn

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj.

Konjufca e falënderuar Gjeloshajn për vizitën në Kosovë, duke i konsideruar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Malit të Zi, si dy shtete me raporte të mira bashkëpunimi.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga Drejtoria për Media në Kuvend, kryeparlamentari ka vlerësuar mbështetjen e Malit të Zi ndaj Kosovës, duke e konsideruar këtë si tregues të vullnetit dhe gatishmërisë për thellimin e këtyre raporteve.

“Kreu i Kuvendit vuri në pah se Republika e Kosovës i bashkëndan dhe i qëndron përkrah synimeve zhvillimore dhe atyre të integrimit evropian të Malit të Zi. Sipas tij, ky qëndrim forcohet edhe më shumë prej faktit të nevojës së përparimit të rajonit tonë dhe dëshirës për t’i parë gjithnjë e më mirë bashkëkombasit tanë shqiptarë të Malit të Zi”- thuhet në komunikatë.

Gjatë bisedimit mbi zhvillimet politike në Kosovë dhe Mal të Zi, njoftohet se Konjufca dhe Gjeloshaj janë pajtuar se zhvillimi dhe siguria e të dyja shteteve si dhe e rajonit “kërkon angazhim të pandërprerë në mbrojtje të sovranitetit, shtetit të së drejtës dhe demokracisë”, njëherësh kërkon “qëndrim të palëkundur kundër agjendës dhe influencës ruse në rajon”.

Në komunikatë theksohet se zëvendëskryeministri Gjeloshaj e ka falënderuar Konjufcën për pritjen, duke shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit të mëtejmë për të avancuar interesat e përbashkëta.