Auditori tregon në Kuvendin e Kosovës gjetjet nga auditimi i buxhetit të shtetit

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës raportin vjetor të auditimit për vitin fiskal 2019. Ky raport përmban rezultatet kryesore të punës audituese përfshirë opinionin, gjetjet si dhe rekomandimet e ZKA-së.

Osmani tha se fokusi kryesor i këtij procesi të auditimit ka qenë në vlerësimet për cilësinë e raportimit financiar, efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret në fuqi.

Para deputetëve Auditori i Përgjithshëm theksoi se konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se në fushën e raportimit financiar nuk janë identifikuar mangësi serioze te organizatat buxhetore, përderisa në fushën e pajtueshmërisë me ligjet vazhdon të ketë dobësi të theksuara. Kurse te ndërmarrjet publike raportimi financiar ashtu si edhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor kanë mangësi serioze.

Fjalimi i plotë i Auditorit të Përgjithshëm, Besnik Osmani, para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës:

E nderuar Kryetare, të nderuar deputetë,

I nderuar Kryeministër, të nderuar Ministra

Kam kënaqësinë të prezantoj para jush Raportin e Auditimit të buxhetit të shtetit për vitin fiskal 2019.

Në këtë auditim, fokusi ynë ka qenë në vlerësimet për:

–    Cilësinë e raportimit financiar

–    Efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe

–    Pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret në fuqi.

Konkluzioni i Përgjithshëm i auditimit është se në fushën e raportimit financiar, nuk janë identifikuar mangësi serioze te organizatat buxhetore, përderisa në fushën e pajtueshmërisë me ligjet vazhdon të ketë mangësi/dobësi të theksuara.

Ndërsa, te Ndërmarrjet Publike raportimi financiar ashtu si edhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor kanë mangësi serioze.

Raporti është rezultat i auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për vitin 2019 dhe i 131 raporteve individuale, nga të cilat:

  • 95 organizata buxhetore;
  • 14 Ndërmarrje Publike;
  • 9 projekte të donatorëve; dhe
  • 13 auditime të performancës.

Në raportet e auditimit, kemi dhënë:

  • 69 opinione të pamodifikuara;
  • 27 të pamodifikuara me theksim të çështjes; dhe
  • 13 opinione të modifikuara.

Ndërsa për Pasqyrat e Buxhetit të shtetit është dhënë: opinion i pamodifikuar me theksim të çështjes. Kjo për arsye se:

  • Të hyrat ishin mbivlerësuar për 23 milionë euro. Shkaku i këtij gabimi ishte se e njëjta shumë e të hyrave vetjake ishte mbledhur gjatë vitit 2018, ndërsa në planin buxhetor 2019 ishte parashikuar sërish si e hyrë; dhe
  • Shpenzimet prej 15 milionë eurosh ishin klasifikuar nëpër kategori joadekuate, me ligjin e buxhetit, përkundër një përmirësimi prej 7 milionë eurosh nga viti paraprak.

Në auditimet për vitin 2019 kemi dhënë 1,068 rekomandime.

Ndërkaq, nga 1,174 rekomandime të dhëna në vitin paraprak, përqindja e zbatimit të tyre ishte 41%, që paraqet një përmirësim të lehtë krahasuar me vitin 2017.

Kjo shkallë e ulët e adresimit të rekomandimeve kërkon rritje të përgjegjësisë në institucionet publike dhe zhvillimin e një procesi formal për monitorimin sistematik të planeve të veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

Në fund të vitit 2019, bilanci bankar në para të gatshme ishte 458 milion euro dhe krahasuar me vitin paraprak, kemi një rritje prej 70 milionë euro apo rreth 18%. Rezervat shtetërore në para të gatshme janë rreth 5% e Bruto Produkti Vendor  dhe në pajtim me rregullat fiskale.

Borxhi i përgjithshëm ka arritur në 1,2 miliardë që krahasuar me vitin paraprak, një rritje prej 108 milionësh apo rreth 10%, pa përfshirë këtu garancitë shtetërore prej rreth 43 milionë eurosh.

Në raport me Bruto Produktin Vendor për vitin 2019, borxhi ishte 17.46% nga 40% i lejuar me ligj.

Megjithatë, shkalla e shpenzimit të fondeve të huazuara është e ulët dhe për shkak të vonesave në shfrytëzimin e kredive, Qeveria ka paguar tarifa rreth 740 mijë euro.

Deficiti i planifikuar buxhetor ishte 2% e Bruto Produktit Vendor, përderisa deficiti aktual në fund të vitit 2019 ishte 0.47%, që është brenda kufirit të përcaktuar me ligj.

Të nderuar deputetë,

Më lejoni që tani t’ju paraqes konkluzionet kryesore të raportit që kërkojnë një vëmendje të shtuar në fushat si vijon:

–              Vlera e obligimeve të papaguara, përfshirë edhe obligimet për shpronësime në fund të vitit 2019 ishte rreth 310 milionë euro. Krahasuar me vitin paraprak, detyrimet janë rritur rreth 20%, derisa detyrimet kontingjente janë rreth 197 lionë.

–              Vlera e llogarive të arkëtueshme është 637 milionë euro nga të cilat 452 milionë euro në nivelin qendror dhe 185 milionë euro në nivelin lokal. Pjesa dërmuese apo 89% të llogarive të arkëtueshme të nivelit qendror i bie në barrë Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.

–              Pranimet e parashikuara me buxhet final gjatë vitit ishin realizuar në vlerë prej 2,2 miliardë euro apo rreth 90% nga planifikimi prej 2.5 miliardë euro. Krahasuar me vitin paraprak, ishin realizuar 10.6% më shumë.

–              Shpenzimi i përgjithshëm për vitin 2019 ishte 2.15 miliardë euro apo rreth 85% e buxhetit. Në strukturën e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore, pagat marrin pjesë me rreth 29%, mallra dhe shërbimet me rreth 14%, subvencionet dhe transferet rreth 29% dhe për investime kapitale rreth 25% si dhe 3% pagesa tjera.

Të nderuar deputetë,

Në vijim po prezantoj një përmbledhje të gjetjeve dhe mangësive të identifikuara sipas kategorive ekonomike:

Paga dhe mëditje

–              Pagesat e pagave jubilare dhe pagave pas pensionimit të realizuara me vendim të gjykatave, e të paguara nga kategoria mallra dhe shërbime;

–              Mangësi në mbajtjen e evidencave të kujdestarive, vijueshmërisë në punë dhe pagesën e shujtave;

–              Shpallje e konkurseve në mospajtim me katalogun e vendeve të punës;

–              Avancim i brendshëm i stafit pa plan paraprak të rekrutimit dhe

–              Kompensimi i pagave jo në pajtim me Aktet e Emërimit;

Mallra dhe shërbime

–              Mosmbyllja e avanseve konform kërkesave ligjore;

–              Lidhja e kontratave pa zotim të fondeve;

–              Përdorimi i procedurave të negociuar pa publikim dhe kufizimi i konkurrencës;

–              Aplikimi i aneks kontratave pa mbështetje ligjore;

–              Tejkalimi i vlerës se kontratës kornize;

–              Vonesa në liferimin e mallrave dhe furnizimeve; dhe

Subvencione dhe transfere

–              Mbështetja financiare për OJQ-të pa shpallje publike;

–              Mosrespektimi i kritereve nga komisionet e vlerësimit;

–              Dhënia e subvencioneve për përfituesit njëjtë;

–              Përfitimi i pensioneve apo ndihmave sociale nga persona të cilët punojnë;

Investime Kapitale

–              Planifikimet joadekuate dhe aprovimet e shpenzimeve si “kapitale”, ndërkohë që të njëjtat nuk përmbushin kriteret të trajtohen si të tilla,

–              Procedurat e prokurimit shpesh iniciohen pa projekte të gatshme ekzekutive,

–              Mbikëqyrja e dobët e projekteve në fazën e ekzekutimit;  dhe

–              Certifikimi i pagesave për punët e pakryera dhe furnizimet e papranuara.

 

Menaxhimi i pasurisë publike vazhdon të mbetet një ndër fushat më sfiduese, sepse:

  • regjistrimi i saj është i papërfunduar;
  • inventarizimet vjetore nuk janë te plota;
  • rivlerësimi i pasurisë nuk është kryer.

Kjo gjendje, lë mundësinë e hapur për keqpërdorime.

Të nderuar deputetë,

Sistemi i menaxhimit financiar dhe kontrollit në Ndërmarrje Publike ka mangësi të mëdha dhe nevojë për përmirësime thelbësore. Këtë e dëshmon fakti se për 13 Ndërmarrje kemi dhënë opinione të modifikuara.

Gjetjet kryesore të auditimit në këto ndërmarrje janë:

  • Gjashtë (6) Ndërmarrje Publike kishin prezantuar rezultat negativ financiar që në total paraqesin humbje prej mbi 28 milionë euro.
  • Të gjitha Ndërmarrjet e audituara së bashku, kanë afër 90 milionë euro detyrime afatshkurtra dhe mbi 71 milionë detyrime afatgjata.

Kthimi i këtyre detyrimeve është mjaft i pasigurt, pasi që pothuajse të gjitha prej këtyre ndërmarrjeve operojnë me humbje dhe nuk e kanë të sigurt vazhdimin e veprimtarisë.

Për të vlerësuar nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë efikase dhe efektive kemi realizuar 13 auditime të performancës në fusha të ndryshme me interes shoqëror, si: mirëqenie sociale, ekonomi, shëndetësi, siguri, teknologji të informacionit dhe në fushën e prokurimit publik.

Përmes këtyre auditimeve kemi konkluduar që:

– ka nevojë për rritjen e kontrollit të cilësisë së naftës

– për përmirësimin e mirëmbajtjes së institucioneve publike arsimore

– për përafrimin e aftësimit profesional me nevojat dhe kërkesat e tregut të punës, si dhe

– për rritjen e shkallës së sigurisë në trafikun rrugor.

Në të gjitha çështjet e përmendura më lart, në raporte individuale, por edhe në këtë raport, janë dhënë kriteret, të gjeturat, shkaktarët dhe rekomandimet konkrete se si të përmirësohen proceset dhe të zvogëlohen papajtueshmëritë me kuadrin ligjor e rregullativ.

Të nderuar deputetë,

Me zhvillimin e teknologjisë së informacionit është rritur nevoja për auditimin e tyre për t’i siguruar qytetarët dhe Kuvendin se këto janë në funksion të ofrimit të shërbimeve më të mira ndaj tyre.

Në vitin 2017 kemi filluar me ngritjen e kapaciteteve në fushën e teknologjisë së informacionit si dhe zhvillimin e metodologjisë së punës për këtë fushë. Krahas kësaj, paralelisht kemi realizuar 8 auditime të ndërlidhura me sistemet e informacionit në nivel vendi.

Përveç publikimit si raporte të veçanta, çështjet kyçe nga këto auditime i kemi vendosur edhe në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2019, me qëllim që të tërheqim vëmendjen e institucioneve më të larta shtetërore – Qeverisë dhe Kuvendit.

Auditimet kanë nxjerrë në pah mangësi të theksuara në lidhje me menaxhimin e sistemeve të informacionit, sigurinë e sistemeve dhe kontrollet e aplikacioneve-qasjet në sistemet e informacionit.

Sipas vlerësimit tonë rreth 70% e institucioneve kanë mungesë të strategjisë, politikave dhe procedurave për zhvillimin e mirëmbajtjen e këtyre sistemeve.

Për të përmirësuar mënyrën ekzistuese të menaxhimit, kemi dhënë 153 rekomandime për organizata të ndryshme buxhetore të audituara.

Përkundër kësaj, jo të gjitha institucionet e audituara kanë marrë veprime për përmirësimin e gjendjes. Për më shumë, disa nuk kanë përmbushur as kërkesën ligjore për të hartuar dhe dorëzuar Planin e veprimit.

Me këtë rast, ftojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës që të kërkojë rritjen e përgjegjësisë llogaridhënëse nga institucionet e audituara në mënyrë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për zbatimin e rekomandimeve dhe adresimin e mangësive të raportuara.

Ju faleminderit për vëmendjen!