Auditori: Që nga 2007 'Ibër-Lepenci' nuk ka bërë vlerësim të pasurisë

Në raportin e auditimit të Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenci” për vitin 2023 thuhet se procesin e vlerësimit të pasurive për herë të fundit kjo ndërmarrje e kishte realizuar në vitin 2007.

Sipas Auditorit, si rezultat i kësaj në regjistër figurojnë 1,235 pasuri me kosto historike në shumën 9,179,559 euro, e që janë zhvlerësuar në tërësi dhe vlera neto e tyre në libra ishe zero.

Gjithashtu, Auditori ka gjetur se në regjistrin e pasurive gjenden edhe 41 pasuri të cilat nuk kanë vlerë blerëse në mungesë të dëshmive.

Krahas kësaj, raporti thotë se këto pasuri janë ende aktive dhe për to nuk ishte bërë rivlerësimi dhe rishikimi i jetëgjatësisë së tyre, ashtu siç nuk ishte bërë edhe për pasuritë e tjera.

“Edhe përkundër zotimit të menaxhimit në planin e veprimit si dhe përpjekjeve përmes shpalljes së procedurave të tenderimit për shkak të mungesës së ofertuesve të përgjegjshëm kjo cështje ka mbetur e pa zbatuar” – thuhet në raportin e Auditorit.

Moskryerja e rivlerësimi të pasurive në përdorim, Auditori ka vlerësuar se rritë rrezikun që vlera kontabël e tyre në datën e raportimit të pasqyrave financiare, të jetë me vlera materialisht të ndryshme nga vlera e drejtë e tyre

Auditori ka rekomanduar Bordin e Drejtorëve të sigurojë që në përputhje me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit të bëhet rivlerësimi i pasurive të ndërmarrjes, me qëllim të prezantimit të vlerës së drejtë të tyre në pasqyrat financiare vjetore.

Auditorët mund të japin tre lloje opinionesh të modifikuara: opinion të kualifikuar, opinion të kundërt dhe mohim të opinionit.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për ndërmarrjen “Ibër-Lepenc” në raportin vjetor për pasqyrat finaciare për vitin 2023. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.

Në raportin e vitit 2023, ndërmarrja “Ibër-Lepenc” ka marrë katër rekomandime, tre më pak se në raportin e vitit 2022. Në raportin e vitit 2022, ndërmarrja “Ibër-Lepenc” kishte marrë 7 rekomandime kryesore. Deri në fund të auditimit nga ZKA, ndërmarrja”Ibër-Lepenc” kishte zbatuar 3 rekomandime dhe 4 nuk i kishte zbatuar.

Menaxhmenti i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” është pajtuar me gjetjet e ZKA-së të evidentuara në raportin e auditimit të vitit 2023.

Raportin e plotë të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të “Ibër- Lepenc” për vitin 2023 mund ta lexoni në këtë LINK