Auditori: Drejtori i ASHNA-s nuk lejoi auditimin e një projekti, më pas u largua nga puna auditori i brendshëm

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka gjetur se drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Samir Bllacaku, nuk kishte lejuar auditimin e një projekti brenda Agjencisë, me arsyetimin se ai projekt do të mbulohej nga një auditim i veçantë nga Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC).

Në Raportin e Auditimit të ASHNA-s për vitin 2023, ZKA ka thënë se pas këtij rasti, udhëheqësja e Njësisë së Auditimit të Brendshëm të kësaj Agjencie ishte larguar nga puna.

Sipas ZKA-së, në planin vjetor të auditimit të brendshëm për vitin 2023, i cili ishte aprovuar nga drejtori i ASHNA-s, ishte planifikuar kryerja e dhjetë auditimeve, mirëpo kishin përfunduar vetëm tetë të tilla.

Auditimi i projektit “Sistemi i Trajnimit dhe Zhvillimit” i planifikuar të auditohej në fillim të vitit, thotë ZKA-ja, nuk ishte kryer pasi që drejtori kishte kërkuar nga auditori i brendshëm të ndryshonte planin auditues lidhur me këtë temë, me arsyetimin se sistemet operative mbulohen nga një auditim i veçantë nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

“Njësia e Auditorit të Brendshëm (NjAB), nuk kishte pranuar ndryshimin e këtij plani dhe pas kërkesës së parashtruar nga NjAB tek Njësia Qendrore Harmonizuese e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave, kjo e fundit kishte konfirmuar të drejtën e njësisë së auditimit të brendshëm për kryerjen e këtij auditimi”– thuhet në gjetjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Ky auditim nuk kishte filluar dhe as kryer gjatë vitit 2023.

Më pas, më 26 tetor 2023, drejtoresha e Njësisë së Auditimit të Brendshëm ishte larguar nga puna.

“Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së një fryme konstruktive të bashkëpunimit dhe mos komunikimit efektiv në mes të Drejtorit të ASHNA dhe Drejtoreshës së NJAB-së”– thuhet në raport të ZKA-së.

Por me këtë të gjetur nuk është pajtuar Agjencia e Shërbimit të Navigimit Ajror, duke thënë se nuk qëndron.

Sipas ASHNA-s, pretendimi se arsyeja e kërkesës për mos realizimin e auditimit të projektit më fjalë se “sistemet operative mbulohen nga një auditim i veçantë nga Autoriteti i Aviacionit Civil” nuk qëndron, pasi që sipas tyre, Departamenti për Zhvillim dhe Trajnim njësi të veçantë të auditimit ka Departamentin për Cilësi, Siguri dhe Sigurim brenda ASHNA-s.

“Për më shumë ZKA gjithashtu në çështjen A2, është lëshuar duke aluduar dhe supozuar se Drejtoresha e NJAB-së është larguar nga puna si rezultat i mungesës së një fryme konstruktive nga ana e Udhëheqësit të SSP-së” – thuhet në komentin e ASHNA-s, për gjetjen e Auditorit.

“Ky supozim i pa bazuar në fakte dhe është paragjykues, për arsye se Drejtoresha e NJAB-së është larguar nga Komisioni Disiplinor për shkelje disiplinore krejtësisht jashtë theksimit të çështjes A2, dhe largimi nuk ka të bëjë aspak me gjetjen”.

ASHNA ka thënë se gjetja në fjalë nuk është bazuar në praktikat e mira dhe nuk është e bazuar në praktikat e ZKA-së, duke pretenduar se “raportet personale apo kolegiale të ish udhëheqësit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm me zyrtaret e ZKA-së, nuk do duhej të kenë ndikim në punën profesionale të ZKA-së”.

“Bazuar në të lartcekurat, konsiderojmë se gjetja A2 nuk qëndron dhe si e tillë duhet të largohet nga draft raporti aktual”– thuhet në fund të komentit.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.