Posta e Kosovës, Foto: Valon Fana, KALLXO.com

Asgjësohet njëra nga dy vulat e 'Postës së Kosovës'

Vula zyrtare e Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës” me format të rrumbullakët është asgjësuar javë më parë me vendim të ish- ushtrueses së detyrës së Kryeshefes Fakete Kadiu.

KALLXO.com posedon dokumentin me vendimin e nënshkruar nga Kadiu që mban datën e 30 dhjetorit të vitit 2022.

Për të bërë asgjësimin e kësaj vule zyrtare, “Posta e Kosovës” ka themeluar edhe një komision.

Pjesë e këtij komisioni sipas dokumentit që ka siguruar KALLXO.com, Driton Morina që mban pozitën e zyrtarit financiar në Postën e Kosovës, Petrit Karakashi që ka pozitën e Drejtorit të Burimeve Njerëzore si dhe Ragip Hoxhaj.

Në lidhje me asgjësimin e vulës zyrtare me formatin e rrumbullakët të “Postës së Kosovës”, këta të fundit në një përgjigje për KALLXO.com kanë thënë se komisioni ka paraqitur raport, sipas të cilit ka bërë edhe asgjësimin e njërës nga vulat zyrtare.

Tutje në përgjigje thuhet se është lënë në përdorim për nevojat zyrtare vetëm njëra nga vulat zyrtare.

“Posta ka vlerësuar se është e nevojshme asgjësimi i njërës nga vulat, duke e lënë në përdorim vulën e re”- thuhet në përgjigjen e Postës së Kosovës për KALLXO.com.