Ilustrim Foto: KALLXO.com

Arrestimi në Gjilan zbulon se bosi malazias mori identitet tjetër në Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person në Gjilan, i cili në momentin e arrestimit ka prezantuar një letërnjoftim të Kosovës.

KALLXO.com mëson se personi i arrestuar është Sërgjan Jurisheviq (Srđan Jurišević), i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga Mali i Zi për dy vepra penale – vrasje e rëndë, dhe – themelim i organizatës kriminale.

Burimet e KALLXO.com thonë se Jurisheviq në momentin e ndalimit në Gjilan policëve u ka paraqitur një letërnjoftim të Kosovës me emrin Dragan Pejiq.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari është shtetas i Kosovës, nga komuniteti serb.

“Policia e Kosovës, njësitë patrulluese nga Stacioni Policor Gjilan me datën 24.05.2023 gjatë patrullimit në qytetin e Gjilanit deri sa ishin duke kryer detyra operacionale kanë ndalur të dyshuarin S.J. (viti i lindjes 1981, mashkull kosovar serb). Gjatë verifikimit i njëjti dyshohet se është i kërkuar në bazë të një urdhër arrestit ndërkombëtar i lëshuar nga shteti i Malit të Zi për veprat penale ‘‘Vrasje e rendë’’ dhe ,,Themelim i organizatës kriminale’’. I njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor Gjilan”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia është duke hetuar për procesin se si i shumëkërkuari mori identitet tjetër në Kosovë.

Sipas raportimeve të Vijesti.me, Jurisheviq është pjesë e njërit prej grupeve më të mëdha kriminale në Mal të Zi, Klanit Kavaç, me seli në Kotor.

Sipas interpretimeve të anëtarëve të këtij grupi, ata planifikonin të likuidonin liderin e grupit “Shkaljar”, Jovan Vukotiq.

 

Arrestohet një qytetar i Kosovës që kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar nga Mali i Zi për vrasje