Arrestimi i kryetari të Shtëpisë së Kulturës së Bujanocit, reagon Kryetari i Këshillit Kombëtar në Luginë

Kryetari i Këshillit Kombëtar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili.

Lutfiu ka thënë se Ismaili për momentin është duke u mbajtur në stacionin policor në Bujanoc.

“Sot policia serbe me urdhër të prokurorit kanë marrë në shtëpinë e tij në Nesalcë drejtorin e Shtëpisë së Kulturës Jetmir Ismailin. Ai për momentin është duke u mbajtur në stacionin policor në Bujanoc”- ka shkruar Lutfiu në Facebook.

Kryetari i Kësillit Kombëtar thotë se sipas familjarëve, Ismaili është marrë në stacionin policor për tu intervistuar rreth shfaqjes së një filmi të metrazhit të shkurtër, i cili është mbështetur nga Qeveria e Kosovës, e që kryetari i Shtëpisë së Kulturës i ka dhënë leje që të bëhet promovimi i tij nesër

“Sipas familjarëve, ai është marrë në stacionin policor për tu intervistuar rreth shfaqjes së një filmi të metrazhit të shkurtër, i cili është mbështetur nga Qeveria e Kosovës nëpërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptarë e që drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc i ka dhënë leje që të bëhet promovimi i tij nesër po në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc”- ka deklaruar Lutfiu.

Ai ka ftuar të gjithë faktorët kombëtarë e ndërkombëtar që të dënojnë këtë veprim të policisë serbe sidomos ndaj rasteve të tilla.

“Ky presion dhe këto metoda ndaj shqiptarëve po dëshmojnë se Serbia nuk e dëshiron paqen dhe të ardhmen në Ballkan. Skenaret me presione të tilla ndaj institucioneve dhe ndaj shqiptarëve janë të papranueshme dhe ftojmë të gjithë faktorët kombëtarë e ndërkombëtar që të dënojnë këtë veprim të policisë serbe sidomos ndaj rasteve të tilla e sidomos ndaj rastit të sotshëm.

Jetmir Ismaili, kryetar i Shtëpisë së Kulturës ditë më parë bërë të ditur se të shtunën do të shfaqet filmi “Heshtja vret” dhe “I pabesi”.

“Collesseum Production shfaqë premierë filmi “HESHTJA VRET” dhe “I PABESI” më datë 10.06.2023 (e shtunë)  në Shtëpinë e kulturës në Bujanoc me fillim nga ora 19:00″- kishte shkruar Ismaili në Facebook.