Arrestime për kultivim të kanabisit, Policia Shtetit gjen edhe radiolidhje te të dyshuarit 

Mbi 1 mijë fara kanabisi, armë e municon, si dhe pajisje të tjera janë sekuestruar nga Policia e Shtetit në një aksion të cilin e kanë realizuar. 

Në pranga sipas policisë ka rënë dhe një shtetas tjetër që posedonte në banesë, dy radio si të Policisë, një armë gjahu pa leje dhe municion luftarak.

Si rezultat i një hetimi, të ndjekur për disa javë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurmimi”.

Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen “Vasil Shanto”, policia ka njoftuar u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit A. D., 34 vjeç dhe L. Gj., 32 vjeç.

Nga kontrollet në automjetin që drejtonte 32-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi A. D., shërbimet e Policisë gjetën 1100 fara cannabisi që posedoheshin nga drejtuesi i automjetit, me qëllim shitjen.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e pasagjerit që ndodhej në automjetin ku u gjetën farat e cannabisit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë gjahu, 20 fishekë dhe 2 radio si të Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.