Armend Zemaj në inspektim: Ashpërsimi i masave do të vazhdojë

Dje gjatë ditës në një konferencë Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj kishte paralajmëruar ashpërsim të masave.

Ndërsa në mbrëmje Ministri Zemaj ka njoftuar se bashkë me Inspektoratin të mbështetur nga Policia e Kosovës, ka qenë në terren për të parë nga afër ashpërsimin e zbatimit të masave të cilat i kishte paralajmëruar gjatë ditës.

“Pas inspektimit, për shkak të mosrespektimit të masave, u gjobitën dhe u mbyllën shumë kafiteri”, ka shkruar Zemaj.

Ai ka paralajmëruar se ky ashpërsim i masave do të vazhdojë, andaj ka kërkuar nga bizneset dhe qytetarët që të zbatojnë masat për parandalimin e pandemisë COVID-19, përndryshe sipas tij do të ketë ndëshkime.

Në Prizren mbrëmë pas orës 20:00 Policia dhe Inspektorati në një operacion në dy qendra të mëdha tregtare, kishin mbyllur disa biznese dhe kishin shqiptuar gjoba deri në 500 Euro.

Policia dhe Inspektorati gjatë operacionit kanë gjetur parregullsi dhe kanë mbyllur 12 lokale afariste në qendrën tregtare “Galeria”.

Kurse gjithashtu janë shqiptuar edhe 5 dënime për subjekte në shumën prej 500 Euro, si dhe dy dënime për persona fizik me nga 50 Euro.

Gjithashtu Policia dhe Inspektorati kanë shqiptuar fletëparaqitje për 46 persona për mos mbajtje të maskës mbrojtëse, ndërkohë këto flet paraqitje dërgohen tek Inspektorati Komunal të cilat do të shndërrohen në gjoba.

Drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj dje kishte njoftuar se Policia e Kosovës deri më tani ka bërë 11 mijë e 824 fletëparaqitje të cilët janë dërguar tek Inspektorati Sanitar dhe më pas këto fletëparaqitje do të bëhen gjoba.