Aleksandër Lumezi - Kryeprokuror i Shtetit - FOTO KALLXO - 10.04.2019

Aleksandër Lumezi: Jemi duke punuar me ndërkombëtarët në forcimin e sundimit të ligjit

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, sot ka marrë pjesë në prezantimin e raportit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë ‘Mbështetja e mëtejshme e institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm’.

Lumezi gjatë këtij prezantimi ka thënë se ky projekt është i një rëndësie të veçantë, për shkak se ka për qëllim përmisimin e sistemit të drejtësisë.

Gjithashtu, Lumezi ka folur edhe për konfiskimin e pasurisë, duke thënë se në të kaluarën nuk ka pasur rezultate të prekshme në sferën e sekuestrimit dhe konfiskimit.

“Vetëm atëherë kur të bëhet konfiskimi i pasurisë dhe marrja e pushtetit ekonomik nga duart e grupeve kriminale, e dimë që jemi në rrugën e duhur, sepse, çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit qëndron në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme”, ka thënë Lumezi.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, të organizatave ndërkombëtare dhe bartës të institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë.