Foto: ZKM

Albin Kurti i del në mbrojtje Avdullah Hotit pas gjuajtjes me vezë

Kryeministri Albin Kurti i ka dhënë mbështetje zëvendësit të tij, Avdullah Hoti, i cili gjatë paradites së sotme u sulmua me vezë.

Për kryeministrin Kurti, këto janë veprime të dirigjuara.

“Veprimet e dirigjuara prej marazit të ngelur nga 6 tetori e 3 shkurti nuk e shqetësojnë qeverinë, e cila po punon e angazhohet për të mirën e popullit e të shtetit, dhe mbështetet gjerësisht nga qytetarët. Zv.kryeministrit Hoti i uroj forcë e punë të mbarë, opozitës i dëshiroj frymë bashkëpunuese, edhe kur e luftojmë korrupsionin e krimin, edhe kur e mbrojmë shtetin e kombin”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Aksioni i gjuajtjes me vezë ishte përdorur në politikën kosovare fillimisht nga Lëvizja Vetëvendosje, ku në disa raste cak kishin qenë edhe zyrtarët e LDK-së, përfshi edhe Isa Mustafën në Kuvend.

Pas sulmit të sotëm me vezë, Hotit mbështetje i ka dhënë edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.