Albin Kurti emëron përgjegjësen për Protokoll

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka emëruar Shenaj Shalën si Këshilltare të Jashtme Politike si dhe përgjegjëse e Protokollit në Kabinetin e Kryeministrit.

Shala deri më tani është gruaja e vetme e emëruar në kabinetin e Kurtit.

“Shenaj Shala është specialiste e protokollit, konsulente e mirësjelljes, mentore dhe ligjëruese e pavarur. Ajo mbaroi studimet master në vitin 2014 në Bruksel në “The International School for Protocol and Diplomacy” (ISPD)”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Sipas njoftimit mes viteve 1999-2013, Shala punoi për Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Afrikën Lindore si Asistente Personale e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Tutje në njoftimin e zyrës së kryeministrit tregohet edhe një pjesë e angazhimit profesional të Shalës.

“Nga viti 2013-2015 z. Shala punoi për “Shell Oil & Petroleum” si Koordinatore e Shell Qendrës së Trajnimeve në Lindjen e Mesme. Në qershor të vitit 2015 ajo u emërua Zyrtare Ndërlidhëse për Ballkan e ISPD-së, kurse në vitin 2018 znj. Shala mori titullin e njërës prej 15 trajnereve globale për ‘pitch’ dhe aftësitë e prezantimit në “International Pitch School for IDACB” (International Decentralized Association for Cryptocurrency and Blockchain)”, thuhet tutje.

Shenaj Shala, sipas njoftimit, është specialiste e protokollit, konsulente e mirësjelljes, mentore dhe ligjëruese e pavarur.

Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i vendit më 3 shkurt të këtij viti, ai deri të tani ka emëruar një pjesë të madhe të këshilltarëve të tij.

Albin Kurti emëron Erzen Vraniqin këshilltar politik

Kurti e emëron Durim Berishën këshilltar të jashtëm politik