Foto: Zyra e Kryeministrit

Kurti e emëron Durim Berishën këshilltar të jashtëm politik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot e ka emëruar Durim Berishën këshilltar të jashtëm politik.

Kryeministri Kurti i ka uruar suksese Berishës në detyrën e tij të re dhe shprehu bindjen se përvoja dhe ekspertiza e tij do të jenë një ndihmesë e madhe për punët që e presin ekzekutivin drejt shtetndërtimit demokratik dhe sundimit të ligjit në vend.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, Durim Berisha bartë titullin Doktor Shkence në fushën e Juridikut, me profil në Ligjin Kushtetues, Kushtetues Krahasues, Kushtetues të Drejtësisë dhe Teorisë pranë Heinrich Heine University në Düsseldorf të Gjermanisë.

“Ai ka një përvojë pune të zhvilluar si në ligjërim e akademi ashtu edhe në disa prej institucioneve të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare që merren me këshilla ligjore dhe sundim të ligjit”, thuhet në njoftim.

Qeveria e re e Kosovës është zgjedhur me 3 shkurt 2020, ndërsa aktualisht kryeministri Albin Kurti është duke emëruar zëvendësministrat dhe stafin përcjellës të tij.