Foto: REL/AFP

Alarmante: Gati gjysma e rasteve aktive me COVID-19 janë në Prishtinë

Numri i rasteve aktive të konfirmuara me COVID-19 në Kosovë është rritur dukshëm ditët e fundit.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, me rezultatet në 24 orët e fundit, numri i rasteve aktive gjatë ditës së sotme ka arritur në 2,762 e vetëm në Prishtinë ky numër është 1,209.

Ndërkaq, një ditë më parë, numri i rasteve aktive me coronavirus ka qenë 2,675.

Pothuajse gjysma e rasteve aktive në Kosovë janë vetëm në Prishtinë,

Deri më sot në këtë komunë janë raportuar 1,963 raste pozitive me COVID-19, nga të cilat 1,209 janë ende aktive.

Sipas drejtorit të shëndetësisë në komunë, Bujar Gashi, kjo rritje e shpejtë është shqetësuese dhe alarmante.

“Alarmante dhe shqetësuese rritja e shpejtë dhe e vazhdueshme e rasteve të reja me COVID-19 në gjithë Kosovën, e sidomos në Prishtinë. Bazuar në të dhënat e marra nga IKShP dhe raportin e konsoliduar nga Shtabi Emergjent në Prishtinë del se momentalisht, që nga data 20 Mars deri sot kemi 1963 raste me COVID-19 prej të cilave 1,209 raste janë ende aktive. Kemi 732 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 22 raste që kanë përfunduar me fatalitet”, ka shkruar Gashi në Facebook duke apeluar në mbajtje e maskës dhe respektimin e masave mbrojtëse në mënyrë që të parandalohet ëprhapja e virusit.

Gjatë ditës së sotme nga 419 mostra të testuara, kanë rezultuar pozitive 241 mostra, duke e cuar numrin e të infektuarve në 6,286.