Aktivitete me biçikleta në Prishtinë për Ditën Ndërkombëtare ‘Pa Makina’ – FOTO

Për nder të Ditës Ndërkombëtare “Pa Makina” në Prishtinë janë organizuar një varg aktivitetesh me biçikleta për sensibilizimin e qytetarëve në uljen  e numrit të qarkullimit të automjeteve dhe për mbrojten shëndetit në përmirësimin e gjendjes së tanishme të ajrit të ndotur.

Vjosa Mustafa pjesëmarrëse e aktivitetit, thotë që qytetarët për të mirë e tyre duhet të përdorin më shumë mjetet alternative të udhëtimit siç është biçikleta.

Ajo tregoi  benifitet shëndetësore që sjell si: forcimin e sistemit të imunitetit atij skeletor, muskulor, kardiovaskular, rritjen e bilancit në përmisimin e fokusit dhe të tjera.

“I inkurajoj të gjithë pa dallim moshe ose gjinie që të mundohen ta përdorin sa më shumë biçikletën pikë së pari për shkak të benifiteve shëndetësore që i përmenda më lart por edhe të largimit nga mbipopullimi i trafikut në mënyrë që  të kemi një jetë sa më të shëndetshme dhe gjithashtu kjo na kursen në aspektin financiar”- theksoi ajo për KALLXO.com.

Po ashtu, edhe Xhevdet Maloku pjesëmarrës i aktivitetit tha që këtu janë mbledhur me qëllim të ruajtjes se shëndetit dhe ambientitit, por edhe respektimit të biçikletave nga autombjetet e tjera.

“Kemi pas edhe vitet e kaluara këto lloje aktivitetesh që qytetarët të vedijësohen për qarkullimin e makinave se ende nuk janë të vedijësuar as për të dhënë  përparësi biçikletave apo për t’i respektuar si automjetet e tjera edhe biçikletat”- bëri të ditur ai për KALLXO.com.

Zymer Mrasori koordinator nacional i Javës Evropiane të Lëvizshmërisë tregon për KALLXO.com që tema “Lidhje më të mira” u përzgjodh për të reflektuar dëshirën e individëve në gjithë Evropën për tu rilidhur njëri me tjetrin pas disa muajsh izolimi dhe kufizimesh.

Si pikë lidhëse kanë vendosur transportin publik.

“Meqenëse transporti është është sektori i dytë i më i ndotur në Evropë dhe emetimet e transportit  të brendshëm të BE-së madje u rritën me 0.8% midis 2018 dhe 2019, duhet bërë përpjekje të konsiderueshme për të arritur objektivin evropian të emetimeve neto zero të gazeve serrë deri në vitin 2050, siç përshkruhet në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Kjo është sfidë e madhe, është thelbësore që të gjithë akterët të bashkëpunojnë për të reduktuar ndjeshëm emetimet e lëvizshmërisë (urbane)”- shpjegoi Mrasori.

Kurse, zëvendësministrja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha potencoi që iniciativa për tranzicionin e ngadalshëm drejt transportit të gjelbër është duke u punuar si strategji për qytet e Kosovës dhe deri më tani janë bashkuar 15 komuna.

“Mundemi me ecë në këmbë nëpër distanca të ndryshme mirëpo gjithashtu edhe të përdorim mjete të tjera të cilat janë më pak të dëmshme për mjedisin, e sidomos gjatë periudhës së dimrit ku e kemi edhe krizën energjetike dhe po hasim në shumë probleme me ndotjen e ajrit”- tha ajo.

Si dhe drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu tregoi që në bashkëpunim me komunën sot e kanë bërë të mundshëm transportin publik pa pagesë për stimulimin e qytetarëve në përdorimin  e transportit publik dhe sipas tij duhet bërë maksimumin për përmisimin e gjendjes sepse jemi prej kryeqyteteve me ndotjen më të madhe.

“Shifrat që janë tani për tani për momentin janë shqetësuese nëse shohim përdorimin e veturave për kokë të banorit por të njëjtën kohë edhe pronarët e veturave, dhe mendojmë në një të ardhme për të ndryshuar këta numra me qëllim ta ruajmë ambientin dhe rritjen e efikasitetit në mobilitet me lëvizje të tillë”- theksoi Musliu.

Java Evropiane e Lëvizshmërisë 2022 në aktivitetin e sotëm mblodhi pjesëmarrës të shumtë biçiklistë të cilët treguan për të mirat e përdorimit të biçikletave.

Java Evropiane e Lëvizshmërisë në koordinim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me Policinë e Kosovës kanë zhvilluar aktivitetete në komunën e Prishtinës, Podujevës, Obiliqit, Shtimes, Lipjanit, Kaçanikut, Pejës, Gjilanit së bashku me OJQ “Marakli t’Biciklave”.

Maifesti i fundit ishte sot në Prishtinë për të përmbyllur Javën Evropiane të Lëvizshmërisë aktivitet do të zgjasin deri në mbrëmje.