Aktakuzë për krime lufte ndaj dy serbëve

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave të nacionalitetit serb me inicialet D. M. dhe Z. K. për kryerje të krimeve të luftës gjatë kohës së luftës në Kosovë – 1998-99.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit të veshur me uniformë të policisë dhe të armatosur kanë marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptarë.

Këtë, Prokuroria thotë se të akuzuarit e kanë kryer duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tyre.

“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se të pandehurit, Z. K dhe D. K., gjatë kohës se luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb, të veshur me uniformë të policisë dhe të armatosur, me vetëdije dhe qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tyre, kanë marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptarë”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë të datës 16.05.2024.

Vepra penale e cila rëndon mbi ta është ‘’Krime lufte kundër popullatës civile’’ nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.

Kjo vepër është e paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të  Konventave të Gjenevës nga neni 146 paragrafi 1 dhe 2 nën paragrafi 2.1, 2.2 dhe 2.3 të KPRK-së, ndërlidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Dy të akuzuarit nga shtatori i vitit 2023, gjenden në masën e paraburgimit, sipas njoftimit të prokurorisë.

Edhe më datë 14.05.2024 kjo Prokurori ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj tre personave për krime lufte në Burgun e Prishtinës gjatë luftës në Kosovë.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.