Aksioni i Policisë në Gjilan, kapen 5 kilogramë drogë dhe arrestohet një person

Policia e Kosovës, sot përmes një aksioni ka arritur të vë në pranga një person, për të cilin kishin informacione se është duke transportuar drogë.

Rasti ka ndodhur në udhëkryqin Novobërdë-Gjilan në fshatin Llabjan, ku kanë tentuar ta ndalojnë veturën e dyshuar ‘Polo’, por personat e dyshuar në veturë nuk i janë bindur Policisë.

“Gjatë këtij tentimi për ta ndaluar veturën e dyshuar të cekur më lart, personat e dyshuar në veturë duke mos ju bindur urdhrave të zyrtarëve policor kanë ikur me shpejtësi nga ai lokacion dhe policia menjëherë është aktivizuar në ndjekjen e tyre”, njofton Policia.

Sipas Policisë, bashkë me personin e arrestuar ka qenë edhe një person tjetër, por ka arritur të largohet duke tentuar që edhe substancën narkotike ta marrë me vete.

Policia njofton se përveç drogës është konfiskuar edhe vetura dhe një shumë prej 925 euro.

“Gjatë ndjekjes nga policia, i dyshuari e ka hedhur substancën narkotike me ç’rast janë konfiskuar 5 kg 185 gr. substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë, vetura e dyshuar dhe shuma e parave prej 925 euro”, thuhet në njoftim.

“Personit të dyshuar tani më i arrestuar i  është caktuar masa e ndalimit, përderisa edhe një person tjetër i dyshuar për rastin ndodhet në arrati dhe është në kërkim nga autoritetet policore”, thuhet më tutje.

Foto: Policia e Kosovës