AGK reagon për largimin e 20 gazetarëve dhe punëtorëve të Gazetës 'Zëri' nga puna

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar sot gjatë ditës për largimin e 20 punëtorëve që kanë punuar në gazetën ‘Zëri’ që disa vite.

AGK ka reaguar mbi largimin e këtyre punëtorëve, duke thënë se ata janë larguar nga puna pas paralajmërim.

“Në mesin e punëtorëve të larguar nga puna, janë 3 gazetarë dhe 1 redaktor, ndërsa siç kanë lajmëruar kolegët tanë, dy prej gazetarëve, janë gra shtatzëna. Ata u njoftuan për shkëputje të kontratës, përmes një e-maili nga drejtori i këtij mediumi, Shpend Dobranja, pa u respektuar afatet kohore të përcaktuara me Ligjin e Punës, në rast të shkëputjes së marrëdhënies së punës”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK thotë se në njoftimin për ndërprerjen e kontratës, drejtori i Gazetës “Zëri”, Shpend Dobranja kishte thënë se këto vendime po merren për shkak të vështirësive financiare.

KALLXO.com ka kontaktuar me Shpend Dobranjën, i cili deklaroi se gazetarët e larguar kanë qenë punëtorë të gazetës, e cila sipas tij është mbyllur.

“Nuk kam çka të komentoj. Gazeta është mbyllur, ata janë punëtorë të gazetës, e gazetë nuk ka. Nëse ndonjë ditë çelet gazeta, ata kthehen në punë”, tha shkurtimisht Dobranja për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka deklaruar se do të kërkoj nga Inspektorati i Punës që të shqyrtoj rastin e gazetarëve të larguar nga puna.