Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK. FOTO: AGK/Facebook.

AGK reagon ndaj deklaratave të deputetit Dimal Basha për mediat

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka quajtur të papranueshme dhe të rrezikshme sulmet e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ndaj mediave dhe aktivistes Flutura Kusari.

Sipsa AGK-së, Basha, ka vazhduar sot sulmet e paprecedent ndaj mediave në Kosovë dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

“Kjo qeveri është e vetmja qeveri që ua ka ndalë komplet tagjinë dhe asnjë cent nuk iu shkon më mediave. Kështu që, me dashtë me i kap kish vazhdu avazin e vjetër. Por, ndryshimi tregon se ne nuk jemi të asaj rruge dhe nuk kemi synim me kap”- ka thënë Basha.

Këtë AGK e konsideron si një sulm të papranueshëm ndaj lirisë së mediave dhe pluralizimit medial në Kosovë.

Basha në fjalën e tij ka përmendur edhe juristen e medies në ECPMF, aktivisten Flutura Kusari.

“Ka rëndësi edhe kanihere kush fol. Për shembull e kemi Flutura Kusarin që del dhe do me ta diktu komplet Kuvendin e Kosovës qysh me bo ti një ligj për KPM-në, kur e njëjta në emër të lirisë së mediave del dhe i mbron Devollët në rrugë. Në emër të lirisë së mediave nuk mund me e mbrojt lirinë e oligarkëve, por as me e zhvat këtë Republikë”- ka thënë Basha.

AGK thotë se sulmi ndaj Kusarit është sulm i papranueshëm, i rrezikshëm dhe me bazë gjinore.

“Akuzat e zotit Basha nga foltorja e Kuvendit e vënë në rrezik sigurinë e zonjës Kusari, dhe kanë për qëllim heshtjen e zërave kritikues të shoqërisë civile. Zonja Kusari bashkë me përfaqësues të Bordit të AGK-së dhe akterë të tjerë të medies dhe shoqërisë civile kanë dhënë vërejtjet e tyre për Ligjin e KPM-së në kuadër të Forumit për Integritetin e Informacionit të NDI”- thuhet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni Gazetarëve thekson se zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Ambasadat e Gjermanisë dhe Italisë në Kosovë gjithashtu i kanë bërë thirrje Kuvendit që ta harmonizojë Ligjin me standardet europiane, para miratimit të tij.

“Gjuha e zotit Basha, fatkeqësisht, është reflektim i qëndrimeve dhe politikave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë së Kosovës kundër lirisë së mediave, lirisë së shprehjes dhe pluralitetitit medial në Kosovë”- janë shprehur nga AGK.

Lidhja Demokratike e Kosovës në fillim të seancës së sotme të Kuvendit [27.06.2024] ka propozuar që tri projektligjet që janë në shqyrtim të dytë, ai për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, të tërhiqen nga rendi i ditës, për shkak të vërejtjeve dhe rekomandimeve nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe Këshilli i Europës.

Një propozim të tillë e kanë mbështetur grupet parlamentare të opozitës, por jo edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Pas kësaj deputetët opozitarë, kanë lëshuar seancën plenare.

Punimet e seancës më pas vijuan me deklarime jashtë rendit të ditës dhe me pyetje parlamentare. Ndërkaq pas një pauze të shkurtër, kryeparlamentari Glauk Konjufca konstatoi se nuk ka kuorum të mjaftueshëm që të vazhdohet tutje me seancë.

“Siç duket nuk do ta kemi kuorumin për sot, kështu që këtë seancë do ta vazhdojmë në javën e ardhshme”- tha Konjufca.

Kryetari i Asociacionit te Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, sot më 27.06.2024 përmes një konference ka shprehur shqetësimet e tyre lidhur më projektligjin e Komisionit të Pavarur të Mediave i cili pritet të miratohet sot në lexim te dytë në Kuvendin e Kosovës.

“Si AGK e themi se Shoqëria Civile nuk ka qenë e përfshirë në fazat kryesore të hartimit të këtij ligji dhe qeveria e Kosovës, partia në pushtet nuk ka qenë e interesuar që të flasë me gjithë akterët”- tha kryetari i AGK-se, Xhemajl Rexha.

Ndërkaq sipas juristes së mediave Flutura Kusari, ky ligj është thelbësor dhe është dashur të trajtohet me një ndjeshmëri më të lartë.

Ndërsa, Bashkimi Europian ka shprehur keqardhjen për “dështimin” e Kosovës për të inkorporuar rekomandimet në tre projektligje vendimtare, atë për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Zyra e BE-së në Kosovë, në një komunikatë për media më 26.06.2024, i ka bërë thirrje Kuvendit që të rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që këto projektligje të përmbushin standardet perëndimore.

Për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, BE-ja thotë se versioni aktual nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Europës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i KPM-së, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve.