Abazi: Situata në Ukrainë i ka shtuar tendencat për masa mbrojtëse ndaj sulmeve kibernetike

Tanzer Abazi, njohës i fushës kibernetike, thotë se para pak ditësh disa ueb-faqe shtetërore ishin të paqasshme por, sipas tij, nuk mund të thuhet se ka qenë sulm kibernetik.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” theksoi se nuk mund të konkludohet se ka sulm kibernetik kurdo që sistemi i ndonjë institucioni bie.

“Sa i përket institucioneve, pak më herët disa portale shtetërore ishin të paqasshme, kjo nuk do thotë që është sulm kibernetik, por është brenda asaj se është tendecë në rritje”, thotë Abazi.

“Kur flasim për sulme gjenerale ne kemi dëgjuar për disa lajme të cilat kanë të bëjnë me Këshillin e Pavarur të Mediave që janë deklaruar se kanë pasur një sulm të tillë, por që ne nuk kemi pasur hapësirë të konkludojmë një rast të tillë,” shtoi tutje ai.

Abazi thotë se situata në Ukrainë i ka shtuar tendencat për masa mbrojtëse ndaj sulmeve kibernetike.

Sipas tij, kjo vjen edhe pasi ministrive në Rusi po u publikoheshin listat e punonjësve.

“Derisa Ministrisë së Mbrojtjes në Rusi i është publikuar lista e të gjithë punonjësve, kjo tregon që ne si shtet duhet të kemi shumë kujdes pasi jemi shumë më të dobët në aspektin digjital”, shtoi ai.

Abazi thotë se Kosova ka kapacitet të personave që do mund të kontribuonin në shmangie të skandaleve të tilla ose të veprohet me kompani të huaja sikur bëri Shqipëria.

“Ne kemi kapacitete dhe duhet të lidhim kontribut që të mos ndodhin skandale të tilla. Në Shqipëri doli skandali i pagave dhe ata morën masa me një kompani amerikane për mbrojtje kibernetike”, shtoi Abazi.