Gashi: Mungesa e ligjit për siguri kibernetike shkakton probleme të mëdha

Në debatin për sigurinë kibernetike në emisionin “Kallxo Përnime”, Kreshnik Gashi, kryeredaktor i KALLXO.com tha se Kosova nuk ka ligj për sigurinë kibernetike.

Gashi tha se ky ligj do rregullonte një pjesë të madhe të problemeve në fushën e sulmeve kibernetike.

“Kosova nuk ka ligj për sigurinë kibernetike që do rregullonte në pjesë të madhe të këtyre problemeve. Projektligji është i draftuar por ende nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës. Problemet që shkaktohen në mungesë të këtij ligji janë të mëdha”, ka thënë Gashi.

Gashi tutje potencoi se në mungesë të këtij ligji, institucionet funksionojnë pa rregullativë që do ua ndërtonte prezencën online.

“Në mungesë të ligjit, institucionet e Kosovës funksionojnë pa pasur një rregullativë mbi të cilën e ndërtojnë prezencën e tyre online. Ka shthurje në mënyrën si janë ndërtuar dhe programuar faqet, kjo paraqet problem pasi mungon standardi dhe nuk mund të kesh as mbrojtje”, shtoi tutje Gashi.

Sipas tij, ky ligj do rregullonte standardin e rregullimit të faqeve që janë të ndërtuara në forma të ndryshme.

“Nga të dhënat kemi parë se kur institucionet ua hapin derën kompanive për të hyrë në program dhe të kenë qajse brenda, nuk ka një protokoll të sigurisë i cili imponon një kontroll që tregon se deri në cilën masë ato lejohen të futen në ruajtje të të dhënave”, shtoi Gashi.

Problem tjetër, sipas tij, është qasja në sistem e personave që punonjnë në Qeverinë e Kosovës, kjo pasi nuk ka manuale që e caktojnë hapësirën dhe pajisjen prej të cilave mund të qasesh.

“Problemi i dytë është qasja në sistem e personave që punonjë në Qeverinë e Kosovës, mënyrës së qasjes si prej telefonëve dhe mjeteve tjera. Shumica e institucioneve nuk kanë manuale që përcaktojnë rregullativën se prej cilave hapësira, pajisje mund të qasen. Kemi sistem që mund të qasesh prej kudo. Te Thesari po ashtu mungesa e protokollit të sigurisë shkon deri te vjedhja e buxhetit”, ka thënë Gashi.

Gashi thotë se Policia ka zbuluar raste të mëdha të sulmeve kibernetike por gjykatat nuk kanë ditur t’i trajtojnë.

“Njësa profesionale në Polici për sulme kibernetike ka zbuluar raste të mëdha, si falsifikimi i kartelave bankare dhe këto raste, në gjykatat tona janë parashkruar pasi nuk kanë ditur t’i trajtojnë. Mungesa e kompetencës së prokurorisë dhe gjykatavee në këto raste për mua është shumë shqetësuese pasi nuk ka vullnet që rastet të shkojnë deri në fund”, shtoi më tej Gashi.