FOTO - Anadolu Agency

A po kërcënohet bota me luftë ndërmjet ShBA-së dhe Iranit?

Pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Suleimani në një sulm ajror nga forcat amerikane në mëngjesin e hershëm të ditës së premte, BBC ka bërë një analizë në lidhje me atë se sa serioz mund të jetë një kërcënim nga Irani me të gjithë potencialin e tij ushtarak, kush ishte gjenerali i vrarë ditë më parë, Qasem Soleimani, dhe cili është historiku i marrëdhënieve SHBA – Iran deri më sot.

Sipas BBC, duke iu referuar të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 523,000 iranianë kryejnë në mënyrë aktive funksione të ndryshme në ushtri.

Këtu përfshihen 350,000 anëtarë të ushtrisë së rregullt dhe të paktën 150,000 anëtarë të Gardës Revolucionare, si dhe 20,000 anëtarë të Marinës.

Republika Islamike e Iranit ka dy lloje të forcave të armatosura: Forcat e rregullta të Ushtrisë, Forcën Ajrore dhe Marinën, dhe Rojet Revolucionare, me gjithsej rreth 545,000 trupa aktive. Irani gjithashtu ka rreth 350,000 Forca Rezervë, që arrijnë në rreth 900,000 trupa të stërvitur.

Qeveria e Iranit ka një forcë paramilitare, vullnetare të milicisë brenda Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, të quajtur Basij, e cila përfshinë rreth 90,000 anëtarë aktivë me uniformë.

GlobalSecurance.org vlerëson se Irani mund të mobilizojë “deri në një milion burra”, i cili do të ishte ndër mobilizimet më të mëdha të trupave ushtarake në botë, shkruan BBC.

Garda Revolucionare e Iranit është formuar para 40 vitesh me qëllim që të mbrojë sistemin islamik të Iranit dhe njihet si një fuqi e madhe ushtarake, politike dhe ekonomike. Megjithë faktin se llogaritet si formacion me numrin më të vogël të antarëve brenda ushtrisë iraniane, konsiderohet si një prej formacioneve me autoritetin më të madh në Iran.

Njëkohësisht, Garda Revolucionare e Iranit e ka nën kontrollin e saj Njësinë Basij, një forcë vullnetare e cila ndihmon në luftimin e konflikteve të brendshme. Njësia Basij mund të mobilizojë me qindra mijëra njerëz.

Kur flitet për Njësinë Elitë Quds, e cila deri tani është udhëhequr nga Gjenerali Soleimani, kjo njësi ndërmerr operacione sekrete jashtë Iranit dhe i përgjigjet direkt udhëheqësit suprem, Ajatollahut Khomeini.

Sipas BBC-së, besohet kjo njësi numëron rreth 5,000 anëtarë.

Anëtarët e kësaj njësie janë vendosur në Siri, duke i këshilluar forcat besnike ndaj Presidentit Bashar al-Asad dhe Shiitëve, ndërsa në Irak mbështesn forcat paramilitare të mbizotëruara nga shiitë që ndihmuan në mposhtjen e Shtetit Islamik.

Megjithatë, ShBA pretendon se Njësia Quds ka luajtur një rol më të gjërë duke siguruar fonde, trajnime, armë dhe pajisje tjera për organizatat, të cilat për Uashingtonin zyrtar njihen si organizata terroriste në rajonin e Lindjes së Mesme të tilla si Lëvizja Hezbollah e Libanit dhe Xhihadi Islamik Palestinez.

Irani po ashtu posedon kapacitete të mëdha raketore. Aftësitë raketore të Iranit janë një pjesë kryesore e aftësisë së saj ushtarake, duke pasur parasysh mungesën e saj të fuqisë ajrore në krahasim me rivalët si Izraeli dhe Arabia Saudite.

Një raport i Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-së i përshkruan forcat raketore të Iranit si më të mëdhatë në Lindjen e Mesme, që përmbajnë kryesisht raketa me rreze të shkurtër dhe me rreze të mesme. Ky raport gjithashtu thotë se Irani po teston teknologjinë hapësinore për ta lejuar atë të zhvillojë raketa ndërkontinentale, të cilat mund të kenë një rreze shumë të gjatë.

Sidoqoftë, programi i raketave me rreze të gjatë ka ngecur nga Irani si pjesë e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me vendet e huaja, mirëpo ky program mund të ketë rifilluar, duke pasur parasysh paqartësinë në lidhje me këtë marrëveshje.

Në secilin rast, një mori objektivash në Arabinë Saudite dhe Gjirin Persik do të jenë brenda intervalit të raketave aktuale të Iranit me rreze të shkurtër dhe të mesme si dhe objektiva të mundshme në Izrael.

Në maj të vitit të kaluar, ShBA vendosi një sistem të mbrojtjes kundër-raketore të quajtur Patriot në Lindjen e Mesme për t`iu kundërvëne Iranit gjatë kohës sa tensionet me këtë shtet po rriteshin.

Irani është i njohur për posedimin e armatimit jokonvencional.

Me gjithë faktin se tash e shumë vite, Irani është nën sankcione nga pjesa tjetër e botës, ky shtet ka vazhduar në zhvillimin e dronëve. Në Irak, dronët iranianë janë përdorur qysh nga viti 2016 në luftën kundër Shtetit Islamik. Pas sulmit të madh kibernetik në vitin 2010 ndaj impianteve bërthamore të Iranit, ky shtet ka filluar të zhvillojë kapacitetet e veta në fushën e kibernetikës.

Kush ishte Qassem Soleimani, gjenerali iranian i vrarë ditë më parë?

Qasem Soleimani ka qenë njeri me një ndikim të jashtëzakonshëm dhe për të flitej se mund të jetë presidenti i ardhshëm i Iranit.

Sipas Dina Estefari, bashkëpunëtore në Qendrën Hulumtuese “Century Foundation”, Qassem Suleimani ka qenë më i rëndësishëm se Presidenti, ka folur me fraksione të ndryshme në Iran, ka pasur lidhje direkte me komandantin suprem dhe ka qenë përgjegjës për politikat rajonale të Iranit. Vështirë se dikush tjetër do të mund të kishte një ndikim aq të madh sa Soleimani, transmeton BBC.

Qassem Suleimani nuk ishte gjeneral i zakonshëm. Prania e tij ishte pothuajse në çdo fushë betejë në Lindjen e Mesme. Ai ose do të ishte aty ose do të arrinte aty dhe emri i tij përmendej kudo dhe gjithnjë. Ai kishte aftësi dhe ishte shumë efektiv për t’i shërbyer interesave të Iranit në Liban, Siri, Irak dhe më gjerë, deri në Afganistan. Ai ishte një figurë elektrizuese. Kur ai shfaqej në publik, paraqitja e tij tërhiqte qindra mijëra mbështetës dhe militantë iranianë. Ai ishte në gjendje që ta riformësonte botën përreth tij.

Ai nuk ishte thjesht një ushtarak, ai ishte i përfshirë në detajet më të hollësishme të politikës në vendet në të cilat ai shërbeu. Kështu që Bashar Al-Asad në Siri është ndoshta në fuqi falë Qasem Soleimanit. Edhe Abdul Mahdi, kryeministri aktual në Irak, mbeti në pushtet për shkak të ndikimit të tij.

Ai u përfshi në të gjitha detajet në të gjitha këto vende. Ai ishte një figurë kryesore. Për një kohë të gjatë, ai u cilësua si një “figurë në hije”, njeriu misterioz që po orkestronte githçka në prapaskenë, përtej Lindjes së Mesme. Por ai ishte ndoshta “figura misterioze” më e ekspozuar në rajon sepse kudo ku shkonte, militantët bënin fotografi me të.

Ai ishte si një yll rock-u, dhe ishte bërë njeri me famë të madhe. Pra, ndërsa publiku i gjerë mund të mos kishte qenë tepër i njohur me emrin e tij, të gjithë lojtarët kryesorë dhe madje edhe ushtari më i ulët ose pjesëtari më i ulët i milicisë në Lindjen e Mesme, e dinin se kush ishte Qasem Soleimani. Ky është një njeri që në jetën e tij, e riformësoi botën përreth tij. Për dy dekada rresht ku ai ishte operacional në të gjithë Lindjen e Mesme, ai bëri ndryshime në këto vende. Ai ndryshoi fatin e qeverive në këto vende.

Dhe me vdekjen e tij, ai mund të bëjë të njëjtën gjë. Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë, dhe Presidenti Trump po ashtu, kanë thënë se dëshirojnë ta shkëpusin SHBA-në nga Lindja e Mesme. Megjithatë qizmja amerikane akoma po marshon në këtë vend. Vdekja e Qasem Soleimanit mund të ketë vënë përkohësisht shkëputjen e Amerikës nga rajoni në një pauzë me afat kohor të papërcaktuar.

Soleimani ishte në figurë i cili komunikonte përmes letrave dhe porosive nga distanca me armiqtë e tij.

Tetëmbëdhjetë muaj para vdekjes së tij, Suleimani i ka dërguar një paralajmërim publik Presidentit të ShBA-së Donald Trump që mund të dëshmojë se është i saktë, por jo në mënyrën si ai mund ta kishte menduar.

“Z. Tramp, lojtar bixhozi, unë ju them, ju e dini se ne jemi afër aty ku nuk prisni të jemi. Ju do të filloni luftën, por ne do ta përfundojmë atë”, ishte paralajmërimi i tij.

Dhe pikërisht kjo porosi e tij drejtuar presidentit amerikan ishte arsyeja pse Trump ishte përgjigjur përmes llogarisë së tij në Twitter me këtë porosi: “Irani asnjëherë se ka fituar luftën dhe asnjëherë s`ka dalë humbëse në negociata”.

Qasem Soleimani njihet si një figurë me të vërtetë e keqe përtej Iranit.

Në biografinë e tij, Suleimani ka shkruar se ai kishte lindur në Rabor, një qytet në Iranin lindor dhe ishte detyruar të udhëtonte në një qytet fqinj në moshën 13 vjeçare dhe të punonte në mënyrë që të paguante borxhet e babait të tij ndaj qeverisë së Shahut.

Deri në kohën kur monarku kishte rënë nga froni në vitin 1979, Suleimani ishte përkushtuar ndaj sundimit klerik të Ayatollah Ruhollah Khomeinit, dhe iu bashkua Gardës Revolucionare, një forcë kjo paramilitare e krijuar për të parandaluar një grushtshtet kundër Republikës Islamike e cila ishte shpallur atëherë.

Një tekstporosi përmes telefonit e vitit 2007 e dërguar prej tij në adresë të komandantit të atëhershëm të forcave amerikane në Irak, David Petraeus, kishte shkaktuar reagime të shumta.

Në këtë letër thuhej: “Gjeneral Petreus, do tëduheshit ta dini se unë, Qasem Soleimani, e ka nën kontroll politikën e Iranit që ka të bëjhë me Irakun, Libanin, Gazën dhe Afganistanin. Ambasadori në Irak është anëtar i forcave të Al Quds. Edhe ai i cili do ta zëvendësojë atë po ashtu  është anëtar i Njësisë Al Quds.

Cila është historia e marrëdhënieve ShBA – Iran?

Marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Iranit mund të përshkruhen si të tensionuara dhe me kërcënime të kohëpaskohshme për luftë. Që nga orkestrimi amerikan përmes CIA-s për të përmbysur nga froni kryeministrin iranian Mossadeq në vitin 1953  e deri te tensionet gjithnjë në rritje mese qeverisë iraniane dhe Presidentit amerikan Trump, historia e marrëdhënive 65 vjeçare ndërmjet këtyre dy vendeve ka qenë gjithmonë determinuese për fatin e një numri shteteve në Lindjen e Mesme.

Përkeqësimi i marrëdhënieve ndërmjet ShBA-së dhe Iranit fillon në vitin 1953 kur agjensitë e inteligjencës amerikane dhe britanike orkestrojnë një grusht shtet për të larguar nga pushteti kryeministrin e zgjedhur në mënyrë demokratike të Iranit, Mohammad Mossadeq për shkak se udhëheqësi laik kishte kërkuar të shtetëzonte industrinë e naftës në Iran.

Në vitin 1979 ndodhi revolucioni iranian dhe Shahu i Iranit i mbështetur nga ShBA, Mohamed Reza Pahlevi, ishte i detyruar të largohet nga vendi më 16 janar pas muajve të demonstratave dhe grevave kundër sundimit të Iranit nga kundërshtarët laikë dhe fetarë. Dy javë më vonë, udhëheqësi fetar islamik Ayatollah Khomeini kthehet nga mërgimi. Pas një referendumi të mbajtur, me datë 1 prill të vitit 1979,  shpallet Republika Islamike e Iranit.

Vitet 1979-81 mbahen në mend si vitet e krizës së pengjeve në Ambasadën Amerikane në ShBA. Në nëntorin e vitit 1979 qytetarë amerikanë kapen peng nga protestuesit iraninanë brenda ambasadës amerikane në Teheran dhe mbahen për 444 ditë. Në janarin e vitit 1981, 52 qytetarë të fundit që ishin mbajtur si peng nga Irani lirohen përfundimisht, pikërisht në ditën e inaugurimit të Presidentit Ronald Reagan.

Gjashtë amerikanë të tjerë që kishin shpëtuar nga ambasada janë kontrabanduar jashtë Iranit nga një ekip kinse nga Kanadaj i cili përballë autoriteteve të atëhershme iraniane e kishte prezantuar vetën si krijues të filmave. Kjo ngjarje e vërtetë është ekranizuar edhe përmes filmit Argo, fitues i Çmimit Oscar në vitin 2012.

Vitet 1985-86 njihen për skandalin e quajtur Iran-Kontra. Historia e këtij skandali nis kur ShBA dërgon në mënyrë të fshehtë armët në Iran, gjoja në këmbim të ndihmës së Teheranit në lirimin e pengjeve amerikane të mbajtura nga militantët e Hezbollahut në Liban mirëpo përfitimet nga kjo shitje në mënyrë ilegale shkojnë tek rebelët në Nikaragua, duke krijuar një krizë politike për Presidentit Reagan.

Me 3 korrik të 1988 anija luftarake amerikane USS Vincennes rrëzon një aeroplan pasagjerësh nga Irani Air në Gjirin Persik duke vrarë të gjithë 290 njerëzit në bord. Shtetet e Bashkuara kishin deklaruar se aeroplani Airbus A300 ishte shënjestruar gabueshëm duke menduar se bëhej fjalë për një aeroplan luftarak.

Shumica e viktimave si pasojë e rrëzimit të këtij aeroplani ishin haxhilerë iranianë gjatë rrugës për në Mekë.

Në vitin 2002 gjatë fjalimit të tij drejtuar popullit amerikan, Presidenti i atëhershëm George Bush e denoncon Iranin si pjesë e “boshtit të së keqes”  bashkë me Irakun dhe Korenë e Veriut. Fjalimi tij atëbotë shkakton zemërim të përmasave të gjëra në Iran.

Vitet 2000 njihen si vitet të frikës nga armët bërthamore si dhe për sanksionet e amerikane të imponuara ndaj Iranit. Në këtë vit një grup opozitar nga Irani e bën publik informacionin se Irani po zhvillon programe bërthamore përfshirë edhe një fabrikë për pasurimin e uraniumit.

ShBA akuzon Iranin për një program klandestin të armëve bërthamore, ndërkohë që Irani e mohon një akuzë të tillë. Marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve pastaj karakterizohen përgjatë një dekade të veprimtarisë diplomatike dhe angazhimit të ndërprerë të Iranit me mbikëqyrësit bërthamorë të Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë disa raunde sanksionesh imponohen nga Kombet e Bashkuara, ShBA dhe BE kundër qeverisë së presidentit ultra konservator Mahmoud Ahmadinexhad. Kjo ka bërë që monedha e Iranit të humbasë dy të tretat e vlerës së saj në dy vjet.

Vitet 2013-2016 konsiderohen si vite të përafrimit të marrëdhënieve Iran – ShBA si dhe të një marrëveshje bërthamore

Në Shtatorin e viti 2013, një muaj pasi Presidenti i ri i moderuar i Iranit, Hassan Rouhani merr detyrën, ai dhe Presidenti i ShBA Barack Obama flasin me telefon – biseda e parë e tillë e nivelit të lartë në më shumë se 30 vjet.

Pastaj në vitin 2015, pas përpjekjeve të shumta diplomatike, Irani bie dakord për një marrëveshje afatgjatë në programin e tij bërthamor me një grup fuqish botërore të njohura si P5+1 – ShBA., Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kina, Rusia dhe Gjermania.

Sipas marrëveshjes, Irani bie dakord të kufizojë aktivitetet e tij të ndjeshme bërthamore dhe t`u lejojë qasje inspektorëve ndërkombëtarë në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike të imponuara ndaj Iranit.

Viti 2019 për Iranin dhe ShBA-në karakterizohet me tensionim ne rajonin e Gjirit

Në maj të vitit 2018, Presidenti amerikan Donald Trump braktis marrëveshjen bërthamore, përpara se të rivendoste sanksione kundër Iranit dhe shteteve që kanë marrëdhënie tregtare me Iranin.

Marrëdhëniet midis ShBA-së dhe Iranit përkeqësohen. ShBA dërgon një grup sulmues aeroplanësh dhe bomba B-52 në rajonin e Gjirit për shkak të asaj që ai quan “indikacion shqetësues dhe përshkallëzues” që lidhet me Iranin.

Pastaj, në maj dhe qershor të vitit 2019, një seri shpërthimesh godasin gjashtë cisterna nafte në Gjirin e Omanit, ndërkohë që SHBA akuzon Iranin për këto sulme.

Dhe me 20 qershor 2019, forcat iraniane rrëzojnë një avion ushtarak amerikan mbi ngushticën e Hormuzit. ShBA thotë se aeroplani i saj po fluturonte mbi ujërat ndërkombëtare ndërkohë që Irani e mohonte një gjë të tillë duke deklaruar se aeroplani i rrëzuar po fluturonte sipër territorit iranian.